Drejtoria e Arsimit në Prishtinë ka themeluar Ekipin Komunal për planifikimin, mbikëqyrjen dhe mbështetjen e shkollave në procesin e vlerësimit të brendshëm të performancës së mësimdhënësve, shkruan AlbanianEducation.net.
Sipas njoftimit të DKA-së, ky ekip do të ketë rol në koordinimin dhe mbështetjen e shkollave gjatë zbatimit të procesit, në përputhje me legjislacionin dhe dokumentet përkatëse që rregullojnë Vlerësimin e Performancës së Mësimdhënësve (VPM).
Pas konstituimit të Ekipit Komunal, shqyrtimit të përgjegjësive dhe miratimit të Planit Dinamik të Punës për vitin shkollor 2026–2027, ka nisur edhe puna në terren.
Në këtë kuadër, anëtarët e Ekipit Komunal kanë zhvilluar takime me ekipet me bazë në shkollë në SHFMU “Mitrush Kuteli” dhe SHFMU “Naim Frashëri”, ku është diskutuar zbatimi i vlerësimit të brendshëm të performancës së mësimdhënësve.
Gjatë takimeve është ofruar edhe mbështetje profesionale për shkollat lidhur me organizimin dhe realizimin e këtij procesi.
DKA-ja ka bërë të ditur se do të vazhdojë mbështetjen profesionale dhe institucionale për shkollat, me synim përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies dhe zhvillimin e vazhdueshëm profesional të mësimdhënësve.