Viti shkollor 2026/2027: Nga një fillim i ri kalendarik drejt një kulture të re arsimore
Sot me 1 shtator filloj një vit i ri shkollor. Shkollat i hapën dyert, nxënësit u rikthyen në banka, mësimdhënësit në klasa dhe institucionet arsimore në rutinën e tyre të zakonshme.
Por pyetja që duhet t’i shqetësojë të gjithë nuk është vetëm: A filloj viti i ri shkollor?
Pyetja më e rëndësishme është:
A do të fillojë edhe një qasje e re ndaj arsimit?
Sepse një vit i ri shkollor nuk e bën automatikisht arsimin më të mirë. Nëse vazhdojmë me të njëjtat politika, të njëjtat praktika, të njëjtat dobësi institucionale dhe të njëjtën mënyrë të të menduarit, atëherë ndryshon vetëm data, jo arsimi.
1. Çfarë duhet të ndryshojë?
Ndryshimi duhet të fillojë nga vetë filozofia e arsimit.
Shkolla nuk duhet të jetë vetëm institucion ku nxënësi mëson përmendësh informacione dhe merr nota. Ajo duhet të jetë një mjedis ku fëmija mëson të mendojë, të komunikojë, të bashkëpunojë, të argumentojë, të respektojë tjetrin dhe të ndërtojë personalitetin e vet.
Nuk mund të flasim për arsim cilësor nëse suksesin e nxënësit e reduktojmë vetëm në notë.
Një nxënës me rezultate të dobëta nuk duhet të etiketohet menjëherë si “i dobët”. Pas performancës së tij mund të fshihen faktorë të shumtë: mënyra e mësimdhënies, kushtet familjare, gjendja sociale dhe ekonomike, motivimi, marrëdhëniet me bashkëmoshatarët, klima e klasës apo faktorë emocionalë dhe psikologjikë.
Prandaj, nxënësi duhet të kuptohet para se të gjykohet.
2. Nga etiketimi te potenciali
Një nga sfidat më të mëdha të shkollës moderne është të mos e shohë fëmijën vetëm përmes mangësive të tij.
Në vend të pyetjes:
“Pse ky nxënës nuk është i suksesshëm?”
duhet të shtrohet pyetja:
“Çfarë po e pengon këtë nxënës ta realizojë potencialin e tij?”
Kjo është një ndryshim i madh pedagogjik dhe sociopsikologjik.
Shkolla duhet të zbulojë potencialin, jo vetëm të evidentojë dobësitë. Duhet të krijojë mundësi që edhe nxënësi më i heshtur, më i pasigurt apo me rezultate më të ulëta të gjejë fushën ku mund të shkëlqejë.
Asnjë nxënës nuk duhet të humbasë besimin në veten vetëm sepse sistemi nuk ka arritur ta zbulojë potencialin e tij.
3. Mësimdhënësi – figura qendrore e cilësisë
Nuk ka shkollë cilësore pa mësimdhënës cilësor.
Teknologjia mund të ndihmojë, infrastruktura mund të përmirësohet dhe kurrikulat mund të ndryshohen, por marrëdhënia e drejtpërdrejtë ndërmjet mësimdhënësit dhe nxënësit mbetet thelbësore.
Mësimdhënësi duhet të jetë profesionist, por edhe pedagog, mentor dhe model njerëzor.
Prandaj, duhet të investohet jo vetëm në përgatitjen fillestare të mësimdhënësve, por edhe në zhvillimin e tyre të vazhdueshëm profesional.
Arsimi nuk mund të ecë përpara nëse kërkojmë nga nxënësit të mësojnë gjatë gjithë jetës, ndërsa vetë sistemi nuk krijon kulturë të të nxënit të vazhdueshëm për mësimdhënësit.
4. Drejtori nuk duhet të jetë administrator politik
Cilësia e një shkolle lidhet ngushtë edhe me cilësinë e udhëheqjes së saj.
Drejtori i shkollës duhet të jetë para së gjithash udhëheqës pedagogjik dhe menaxher profesional, jo produkt i ndikimeve politike.
Shkolla nuk duhet të jetë vend ku karriera përcaktohet nga afërsia me politikën, por nga kompetenca, integriteti dhe rezultatet profesionale.
Nëse drejtimi i shkollës politizohet, atëherë rrezikohet edhe profesionalizmi i institucionit.
5. Psikologu dhe pedagogu nuk janë luks
Një shkollë moderne nuk mund të mjaftohet vetëm me mësimdhënësin.
Nxënësit përballen me presione sociale, probleme emocionale, konflikte, pasiguri, vështirësi familjare, bullizëm dhe sfida të ndryshme të zhvillimit.
Prandaj, psikologu dhe pedagogu shkollor duhet të jenë pjesë funksionale e sistemit, jo vetëm emër në strukturën administrative të shkollës.
Parandalimi duhet të jetë më i rëndësishëm se ndërhyrja vetëm pasi problemi të bëhet i madh.
6. Prindi duhet të jetë partner, jo spektator
Arsimi nuk mund të jetë përgjegjësi vetëm e shkollës.
Prindi duhet të jetë partner aktiv në edukimin e fëmijës, ndërsa bashkëpunimi familje–shkollë duhet të jetë i vazhdueshëm dhe jo të aktivizohet vetëm kur nxënësi ka problem.
Fëmija merr mesazhe edukative në tri mjedise kryesore: familje, shkollë dhe shoqëri.
Nëse këto tri mjedise japin mesazhe kontradiktore, procesi edukativ dobësohet.
7. Ministria duhet të krijojë vizion, jo vetëm kalendarë
Institucionet qendrore kanë përgjegjësinë më të madhe për krijimin e një sistemi të qëndrueshëm.
Arsimi nuk mund të ndërtohet me reforma të shpeshta, ndryshime të vazhdueshme dhe vendimmarrje të orientuar nga ciklet politike.
Nevojitet një vizion afatgjatë kombëtar për arsimin, i cili nuk ndryshon sa herë ndryshon qeveria apo ministri.
Arsimi është investim në gjenerata dhe duhet të trajtohet si çështje kombëtare, jo si pronë e një partie apo mandati politik.
8. Çfarë mund të bëjmë ne?
Ndryshimi nuk mund t’u kërkohet vetëm institucioneve.
Mësimdhënësi mund të ndryshojë mënyrën e komunikimit me nxënësin.
Drejtori mund të ndërtojë një klimë më profesionale në shkollë.
Prindi mund të dëgjojë më shumë dhe të gjykojë më pak.
Nxënësi mund të marrë më shumë përgjegjësi për të nxënit e tij.
Eksperti mund të flasë më shumë mbi bazën e dijes dhe më pak mbi bazën e bindjeve politike.
Ndërsa shoqëria duhet të fillojë ta trajtojë arsimin si investimin më të rëndësishëm për të ardhmen, jo si një sektor që kujtohet vetëm kur fillon viti shkollor.
Përfundim
Viti shkollor 2026/2027 nuk duhet të jetë vetëm një fillim i ri kalendarik.
Ai duhet të jetë një mundësi për të bërë pyetje të vështira dhe për të kërkuar përgjigje konkrete:
Çfarë duhet të ndryshojë?
Kush duhet ta ndryshojë?
Dhe çfarë jemi të gatshëm të bëjmë secili prej nesh?
Sepse arsimi nuk ndryshon vetëm me ligje, strategji dhe dokumente. Ai ndryshon kur ndryshon kultura institucionale, profesionalizmi, mënyra e të menduarit dhe marrëdhënia me nxënësin.
Nëse më 1 shtator hapim dyert e shkollave, por nuk hapim edhe një kapitull të ri në mënyrën se si e kuptojmë arsimin, atëherë kemi ndryshuar vetëm datën.
Por nëse arrijmë që këtë vit ta vendosim nxënësin në qendër, profesionalizmin mbi politikën, potencialin mbi etiketimin dhe edukimin mbi formalitetin, atëherë 2026/2027 mund të bëhet vërtet një vit i ri për arsimin.
Sepse një shoqëri nuk e ndërton të ardhmen duke ndryshuar vetëm kalendarin e shkollës; e ndërton duke ndryshuar mënyrën se si edukon gjeneratat e ardhshme.
Refki Demaj