SBASHK-u filloi të shtunën seminarin dyditor me temën “Fuqizimi i SBASHK-ut për dialog social, negociata kolektive dhe përfaqësim të punëtorëve të arsimit”, me mbështetjen e Qendrës Amerikane të Solidaritetit, ku përveç përfaqësuesve të SBASHK-ut dhe BSPK-së, mori pjesë edhe Ministri i Arsimit e Shkencës, Hajrulla Çeku.
Në fjalën e tij hyrëse, ministri Çeku e përshëndeti organizimin e seminarit dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit dhe dialogut me punonjësit e arsimit.
Ai foli për gjashtë parimet mbi të cilat do të zhvillohet dialogu social, duke veçuar si parim të parë partneritetin në mirëbesim, e jo vetëm atë formal dhe institucional.
“Dialogu, kur është i hapur, konstruktiv dhe i bazuar në kulturën e kompromisit, na sjell zgjidhjet shumë më mirë sesa kur ka partneritet sa për të thënë dhe nuk ka mirëkuptim e mirëbesim”, tha ndër të tjera ministri Çeku.
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, tha se dialogu social ndërmjet sindikatave dhe Qeverisë për një kohë ishte ndërprerë dhe kishte stagnuar, por theksoi se tashmë rrethanat kanë ndryshuar sa i përket dialogut me MASH-in.
Jasharaj përmendi edhe Strategjinë e Arsimit të hartuar nga MASH-i, duke theksuar se SBASHK-u do të japë kontributin maksimal në zbatimin e saj, me qëllim përmirësimin e gjendjes në arsim dhe krijimin e kushteve më të mira për mësimdhënësit.
Ai theksoi gjithashtu angazhimin e SBASHK-ut për arritjen e Kontratës Kolektive të Arsimit.
“Do të bëjmë të pamundurën që ta kemi Kontratën Kolektive.”, u shpreh ndër të tjera kryetari Jasharaj.
Sekretari i Përgjithshëm i SBASHK-ut, z. Ymer Ymeri, prezantoi disa nga hapat që SBASHK-u i ka paraparë për zhvillimin e dialogut social me Qeverinë, ndër ta: institucionalizimin e takimeve të rregullta me MASH-in, rikthimin e negociatave për Kontratën Kolektive të Arsimit, angazhimin në procesin për Marrëveshjen e Përgjithshme Kolektive, krijimin e grupeve të përbashkëta të punës dhe monitorimin e zbatimit të marrëveshjeve.
Ymeri theksoi se katër takimet e zhvilluara me Ministrin e Arsimit brenda një periudhe rreth njëmujore paraqesin një mundësi të re për forcimin e dialogut institucional, duke nënvizuar se kjo dinamikë duhet të shndërrohet në dialog të rregullt, negociata konkrete dhe marrëveshje të zbatueshme.
Fjalë përshëndetëse dhe punime të mbara në seminar u dëshiroi edhe zyrtarja e Qendrës Amerikane të Solidaritetit – Zyra në Tiranë, Brunilda Hylviu.
Ndërsa Kryetari i BSPK-së, z. Atdhe Hykolli, theksoi se një dialog i mirëfilltë social do të krijonte kushte më të favorshme për punonjësit jo vetëm të arsimit, por edhe të sektorëve të tjerë në Kosovë, pasi shumë prej problemeve mund të zgjidhen përmes dialogut.
Ligjëratat dhe temat e seminarit
Gjatë ditës së parë të seminarit u zhvilluan ligjërata dhe diskutime për çështje të rëndësishme për veprimtarinë sindikale.
Prof. dr. Alban Zeneli, profesor i Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, ligjëroi për “Komunikimin me anëtarësinë dhe forcimin e strukturave sindikale”, ndërsa së bashku me Kryetarin e SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, trajtoi edhe temën “Aftësitë negociuese dhe ndërtimi i argumenteve sindikale”.
Një tjetër temë e rëndësishme ishte “Inteligjenca Artificiale dhe sfidat e reja për mësimdhënësit – roli i sindikatës”, e cila u trajtua nga prof. dr. Alban Zeneli, Sekretari i Përgjithshëm i SBASHK-ut, Ymer Ymeri, dhe u.d. Udhëheqësi i Divizionit për Zhvillim Profesional dhe Licencim të Personelit Arsimor në MASH,Osman Beka.
Seminari do të vazhdojë edhe të dielën me temat “Negociatat kolektive – si përgatitet një proces i suksesshëm negociues” dhe “Prioritetet dhe kërkesat kryesore të punëtorëve të arsimit”.
Në ditën e dytë do të zhvillohet edhe puna në grupe, hartimi dhe miratimi i rekomandimeve që dalin nga seminari, si dhe përcaktimi i hapave të mëtejshëm.
Në përfundim të seminarit do të përgatitet dokumenti “Rekomandime dhe hapa konkretë për forcimin e dialogut social, negociatat kolektive dhe përfaqësimin sindikal të SBASHK-ut”, i cili do të shërbejë për strukturat e SBASHK-ut si bazë për aktivitetet dhe angazhimet e mëtejshme.