Studentja ngre dyshime për mungesë transparence në ndarjen e bursave në Fushë Kosovë, kërkon hetim të procesit



nder titull

- Advertisement5 -

Studentja e Fakultetit Juridik, Vesa Piskala, ka ngritur shqetësime lidhur me procesin e ndarjes së bursave studentore nga Komuna e Fushë Kosovës, duke pretenduar se publikimi i listës së përfituesve është bërë pa transparencën e nevojshme, shkruan AlbanianEducation.net.

- paragrafi 1 -

Sipas saj, pas një kërkese zyrtare dhe reagimit publik, Drejtoria e Arsimit në Fushë Kosovë publikoi listën e parë të përfituesve, por në të janë paraqitur vetëm emrat dhe mbiemrat e studentëve, pa të dhëna shtesë si fakulteti, drejtimi i studimeve, numri i pikëve të fituara apo renditja sipas kritereve të konkursit.

- Advertisement - M1

Piskala thekson se studentët kanë dorëzuar dokumentacion të plotë gjatë aplikimit, përfshirë dëshmitë e suksesit dhe kriteret e kërkuara, ndërsa rezultatet nuk shoqërohen me sqarime mbi mënyrën e vlerësimit.

Ajo bën të ditur se ka aplikuar për bursë me notë mesatare 9.3 në Fakultetin Juridik dhe sukses maksimal 5.0 në shkollën e mesme, por ende nuk ka marrë informacion mbi pikët e fituara, renditjen apo arsyet pse nuk figuron në listën e përfituesve.

Në reagimin e saj, studentja ngre gjithashtu shqetësimin se, sipas pikës 7.4 të thirrjes publike, përfituesit duhet të nënshkruajnë kontrata për mbështetjen financiare, ndërsa pretendon se deri më tani nuk është nënshkruar asnjë kontratë, pavarësisht se mjetet financiare, sipas saj, janë shpërndarë.

- Advertisement - m2

Piskala thekson se nuk kërkon trajtim të veçantë apo përjashtimin e ndonjë përfituesi, por kërkon transparencë dhe llogaridhënie nga institucionet përgjegjëse. Ajo u bën thirrje organeve të hetuesisë dhe institucioneve mbikëqyrëse që të verifikojnë procedurat e ndjekura, dokumentacionin dhe mënyrën e vlerësimit të aplikimeve për bursa.

Postimi i saj i plotë:

Pas kërkesës time zyrtare edhe reagimit publik, Komuna e Fushë Kosovës, përkatësisht Drejtoria e Arsimit, e publikoi me nxitim listën e parë të përfituesve të bursave studentore.
Po çka u publikua? Një Excel “subvencionet ne excel 2” me emra e mbiemra. Veç kaq.
Pa fakultet, pa drejtim, pa pikë, pa renditje dhe pa e tregu qysh është vlerësu secili student e mbi çfarë baze është marrë vendimi.

Pra, studentëve iu është kërku me i dorëzu krejt dokumentet, dëshmitë, notat dhe kriteret e kërkuara, por kur erdhi puna me tregu se kujt dhe pse iu ndanë bursat, u publikun vetëm emrat.

Sot mundet me shkru në listë “Filan Fisteku”, po kush është ai? Në cilin fakultet është? Çfarë drejtimi studion? Sa pikë i ka marrë? Ku është rendit? E njëjta pyetje vlen edhe për secilin emër në listën e publikuar.

Unë kam apliku për këtë bursë, i kam plotësu kriteret e shpalljes, me notë mesatare 9.3 në Fakultetin Juridik dhe sukses 5.0 në shkollën e mesme. Por ende nuk e di: pse nuk jam përfituese, sa pikë mi ka dhënë komisioni, ku jam rendit dhe cili kriter ka bërë dallimin.

Por mungesa e transparencës nuk është vetëm te lista e publikuar. Sipas pikës 7.4 të thirrjes për pranim të mbështetjes financiare, me përfituesit duhet të nënshkruhen kontratat për mbështetjen financiare.

As edhe një kontratë paraprake nuk është nënshkru mes palëve.

Mos të harrojmë se këto para janë shpërnda fillimisht, listat janë publiku më vonë, ndërsa kontratat ende nuk janë bërë.

Qysh mundet me u konsideru i përfunduar një proces, kur ende mungojnë hapat bazë të parapara në vet thirrje?

Nuk po kërkoj trajtim të veçantë dhe nuk po them se dikush nuk është dashur të përfitojë. Po kërkoj vetëm transparencë dhe llogaridhënie.

Për këtë arsye, organet kompetente të hetuesisë dhe institucionet mbikëqyrëse duhet të nisin menjëherë verifikimin e këtij procesi, të shqyrtojnë dokumentacionin, mënyrën e vlerësimit dhe zbatimin e procedurave të përcaktuara në thirrjen publike.