Shkolla “Xhemajl Kada” në Pejë ka reaguar lidhur me ndotjen e hapësirave përreth objektit shkollor, duke u bërë thirrje prindërve dhe qytetarëve që të tregojnë më shumë kujdes dhe përgjegjësi ndaj mjedisit.
Përmes një reagimi, shkolla ka bërë të ditur se pothuajse çdo ditë përballet me mbeturina të shumta të hedhura në hapësirat përreth saj, përfshirë edhe mbetje që, sipas shkollës, vijnë nga komuniteti përreth.
“Xhemajl Kada” ka kërkuar që pranë dhe në hapësirat shkollore të mos hidhen mbeturina shtëpiake, mbetje shtazore apo mbetje inerte.
Shkolla thekson se hapësirat shkollore janë të përbashkëta dhe përdoren çdo ditë nga qindra nxënës, ndaj ruajtja e pastërtisë është e rëndësishme për krijimin e një ambienti të pastër, të sigurt dhe të përshtatshëm për mësim.
Njoftimi i plotë:
REAGIM
Të nderuar prindër dhe qytetarë,
Ndotja e mjedisit ku jetojmë, e aq më tepër e hapësirave shkollore, është një dukuri shqetësuese që duhet ta parandalojmë të gjithë së bashku.
Si shkollë, pothuajse çdo ditë përballemi me mbeturina të shumta të hedhura në hapësirat përreth shkollës, të cilat, për fat të keq, vijnë edhe nga komuniteti përreth.
Ju lutemi dhe ju bëjmë thirrje me mirëkuptim që hapësirat e shkollës të respektohen dhe të mbahen të pastra. Shkolla është pronë e përbashkët dhe një hapësirë ku çdo ditë mësojnë e qëndrojnë qindra nxënës.
Nuk duhet të hidhen pranë dhe në hapësirat e shkollës mbeturina shtëpiake, mbetje shtazore apo mbetje inerte.
Le të tregojmë përgjegjësi dhe respekt për mjedisin, për shkollën dhe mbi të gjitha për fëmijët tanë, të cilëve duhet t’u ofrojmë një ambient të pastër, të sigurt dhe të denjë për të mësuar.
Ta ruajmë së bashku pastërtinë e shkollës dhe mjedisin ku jetojmë!