Shkolla “Emin Duraku” në Prishtinë ka pranuar një donacion të ri gjatë pushimeve verore, i cili përfshin çanta, pajisje dhe mjete pune për nxënësit në nevojë, shkruan AlbanianEducation.net.
Lajmin e ka bërë të ditur drejtori i shkollës, Visar Osmani, i cili ka shprehur mirënjohje për ish-nxënësen e këtij institucioni, Fetije Zeqiri, e cila, pas mbështetjes së mëparshme për kabinetin e muzikës, ka kontribuar sërish për shkollën.
Në njoftimin e tij, drejtori ka falënderuar edhe miqtë dhe bashkëpunëtorët e shkollës, përfshirë Albanischer Jugendforum in Bayern e.V., Shoqatën “Duart që japin shpresë” nga Gjermania, si dhe Saranda dhe Irijad Ajvazin, për mbështetjen e dhënë.
Sipas drejtuesit të shkollës, aktivitetet dhe angazhimet për përmirësimin e kushteve në institucion po vazhdojnë edhe gjatë pushimeve verore.
“Shkolla jonë nuk ka vetëm nxënës. Ka miq, dhe kjo është pasuria jonë”, ka shkruar drejtori, duke paralajmëruar gjithashtu projekte të reja për muajin shtator.
Donacioni synon të ndihmojë nxënësit që kanë nevojë për mbështetje dhe të kontribuojë në krijimin e kushteve më të mira për fillimin e vitit të ri shkollor.