Shkolla “Emin Duraku” në Prishtinë ka nisur procesin e vlerësimit të performancës së mësimdhënësve, në kuadër të të cilit shkolla ka pritur profesorin Osman Beka, Udhëheqës i Divizionit për Zhvillim Profesional dhe Licencim të Personelit Arsimor, shkruan AlbanianEducation.net.
Sipas drejtorit të shkollës, Visar Osmani, vizita e Bekës është zhvilluar në kuadër të mentorimit të procesit të vlerësimit të performancës së mësimdhënësve. Gjatë kësaj vizite, ai ka ofruar mbështetje dhe orientim profesional për shkollën, në bashkëpunim me pedagogen dhe koordinatorin.
Osmani ka vlerësuar rëndësinë e këtij procesi për zhvillimin profesional të stafit dhe ngritjen e cilësisë së punës në shkollë.
“Emin Duraku”, sipas drejtorit, e sheh procesin e vlerësimit si një mundësi për reflektim, zhvillim profesional dhe përmirësim të mëtejshëm të punës së mësimdhënësve.
Në një pjesë të veçantë të reagimit të tij, Osmani ka veçuar edhe faktin se Osman Beka ka qenë profesor i tij, duke e cilësuar si një moment të veçantë pritjen e tij në shkollën që tashmë e drejton.
“Ta pres në shkollën që drejtoj dhe të përfitoj nga përvoja e tij profesionale, është një moment që e vlerësoj shumë”, ka shkruar Osmani.
Shkolla ka bërë të ditur se synon të vazhdojë punën drejt forcimit të kulturës profesionale, vlerësimit dhe përgjegjësisë në procesin edukativo-arsimor.