Rezultatet e PISA 2025 janë një sinjal serioz për sistemin arsimor të Kosovës, thotë SBASHK-u, ndërsa shton se nuk i relativizon këto rezultate dhe nuk ka interes t’i minimizojë.
Përkundrazi, thotë se ato duhet të analizohen me seriozitet dhe përgjegjësi, jo për të kërkuar fajtorë, por për të kuptuar shkaqet dhe për të ndërtuar zgjidhje konkrete.
“Ajo që duhet të na shqetësojë nuk është vetëm niveli i ulët i rezultateve, por edhe mungesa e përparimit domethënës. Në vitin 2025, Kosova ka 357 pikë në shkencë, 340 në lexim dhe 350 në matematikë. Këto rezultate tregojnë qartë se arsimi ynë ka nevojë për një analizë të thellë dhe për veprime konkrete e afatgjata”.
Tutje SBASHK thotë se PISA nuk duhet të përdoret për të gjetur fajtorin, por duhet të përdoret për të gjetur arsyet dhe për të ndërtuar zgjidhjet.
“Niveli bazë i kompetencave është veçanërisht shqetësues Vetëm rreth 21% e nxënësve në Kosovë arrijnë të paktën Nivelin 2 në shkencë, rreth 15% në matematikë dhe rreth 16% në lexim. Këto shifra janë serioze dhe kërkojnë përgjigje serioze institucionale”.
“Pyetja nuk duhet të jetë vetëm:
“Çfarë duhet të bëjë më shumë mësimdhënësi?”
Pyetja duhet të jetë:
“Çfarë nuk ka funksionuar në sistemin tonë arsimor dhe çfarë duhet të ndryshojmë?”
Pas viteve të reformave, ndryshimeve të kurrikulave, trajnimeve dhe investimeve, është e domosdoshme të analizohen të gjithë faktorët që ndikojnë në rezultatet e nxënësve.
Nxënësi nuk vjen në klasë vetëm me tekstin shkollor. Rezultati i tij ndikohet nga familja, kushtet sociale, vijueshmëria, kultura e të nxënit, programet mësimore, tekstet, infrastruktura, numri i nxënësve në klasë, shërbimet profesionale, mbështetja për nxënësit me vështirësi, zhvillimi profesional i mësimdhënësve, menaxhimi i shkollës dhe politikat arsimore”.
SBASHK tutje thotë se përgjegjësia për rezultatet duhet të jetë sistemore dhe e përbashkët.
“Mësimdhënësit kanë përgjegjësi, por përgjegjësia nuk mund të jetë vetëm e tyre
SBASHK-u e mbështet zhvillimin profesional të vazhdueshëm të mësimdhënësve, përmirësimin e metodologjive të mësimdhënies, vlerësimin formativ, diferencimin e mësimit, zhvillimin e mendimit kritik dhe përdorimin e teknologjisë dhe inteligjencës artificiale në funksion të arsimit. Por këto kërkesa duhet të shoqërohen me kushte reale dhe mbështetje konkrete për mësimdhënësit”.
“Nuk mund të kërkohet nga mësimdhënësi mësimdhënie e diferencuar, punë individuale me nxënësit, zhvillim i mendimit kritik, përdorim i teknologjisë dhe metodave bashkëkohore, ndërkohë që ai përballet me klasa të ngarkuara, ngarkesë administrative, mungesë të mjaftueshme të mbështetjes profesionale dhe nevoja gjithnjë e më të ndryshme të nxënësve”.
“Investimi në cilësinë e arsimit duhet të nënkuptojë edhe investim në mësimdhënësin.
Vijueshmëria e nxënësve kërkon trajtim serioz
Edhe të dhënat për mungesat e nxënësve janë shqetësuese. Një pjesë e konsiderueshme e nxënësve kanë deklaruar mungesa gjatë dy javëve para testimit.
Kjo nuk duhet të trajtohet vetëm si çështje disiplinore apo si statistikë”.
SBASHK tujte thotë se duhet të analizohen shkaqet.
“Pse mungojnë nxënësit?
A janë arsyet familjare dhe sociale? Mungesa e motivimit? Klima në shkollë? Marrëdhënia e nxënësit me shkollën? Transporti? Apo faktorë të tjerë?
Mungesa duhet të shihet si një indikator që kërkon ndërhyrje dhe mbështetje, jo vetëm si arsye për masa ndëshkuese.
Rezultatet kërkojnë ndërhyrje të targetuara
Rezultatet e PISA-s tregojnë gjithashtu dallime ndërmjet vajzave dhe djemve.
Në lexim, vajzat kanë 358 pikë, ndërsa djemtë 322 pikë. Në shkencë, vajzat kanë 366 pikë, ndërsa djemtë 347 pikë. Në matematikë diferenca është vetëm 1 pikë.
Kjo tregon se sfidat nuk janë të njëjta në të gjitha fushat dhe për të gjithë nxënësit.
Prandaj, nuk mjafton vetëm një reformë e përgjithshme. Nevojiten ndërhyrje të targetuara dhe politika të bazuara në të dhëna, të cilat marrin parasysh nevojat konkrete të nxënësve”.
Qëndrimi i SBASHK-ut
SBASHK-u vlerëson se rezultatet e PISA 2025 duhet të shërbejnë si bazë për një dialog të vërtetë institucional dhe social për cilësinë e arsimit në Kosovë.
Për këtë qëllim, SBASHK-u kërkon:
1. Analizë gjithëpërfshirëse të faktorëve që kanë ndikuar në rezultatet e PISA-s;
2. Hartimin e një plani konkret kombëtar për përmirësimin e rezultateve në lexim, matematikë dhe shkencë, me objektiva të qarta dhe të matshme;
3. Zhvillim profesional të vazhdueshëm, cilësor dhe praktik për mësimdhënësit, të shoqëruar me kushtet dhe mbështetjen e nevojshme;
4. Fuqizim të shërbimeve profesionale dhe mbështetjes për nxënësit me vështirësi në të nxënë, si dhe programe të veçanta për nxënësit me potencial të lartë;
5. Përmirësim të kushteve të punës dhe të të nxënit, të klimës në shkolla dhe të mekanizmave për trajtimin e vijueshmërisë së nxënësve.
SBASHK-u është i gatshëm të marrë përgjegjësinë e vet dhe të jetë pjesë aktive e zgjidhjes. Por përmirësimi i arsimit kërkon angazhim dhe përgjegjësi të përbashkët të të gjitha institucioneve dhe aktorëve të sistemit arsimor.
“Ne jemi të gatshëm të ulemi me MASh-in, universitetet, ekspertët, drejtorët, mësimdhënësit, prindërit dhe nxënësit, për të analizuar rezultatet dhe për të ndërtuar një plan konkret për përmirësimin e cilësisë së arsimit.
PISA nuk duhet të na ndajë në “fajtorë” dhe “mbrojtës”.
Duhet të na bashkojë rreth një pyetjeje:
Çfarë duhet të ndryshojmë që fëmijët tanë të mësojnë më mirë?
Rezultati i PISA-s nuk është fundi i diskutimit.
Është momenti që duhet të fillojë një debat serioz, i përgjegjshëm dhe i përbashkët për cilësinë e arsimit në Kosovë.
Të mos kërkojmë fajtorë. Të kuptojmë shkaqet. Të ndërtojmë zgjidhje.
SBASHK-u është gati për këtë përgjegjësi dhe për këtë dialog”, thotë SBASHK-u. /AlbanianEducation.net/.