Shkrim nga Samir Shahini – ish-drejtori i Arsimit në Prishtinë
PISA 2025 për Kosovën nuk është lajm i mirë dhe nuk kemi arsye ta zbukurojmë realitetin.
Rezultatet në shkencë, matematikë dhe lexim vazhdojnë të jenë larg mesatares së vendeve të OECD-së, ndërsa një pjesë shumë e madhe e nxënësve tanë nuk arrijnë nivelin bazë të kompetencave.
Megjithatë, do të ishte e padrejtë që përgjegjësia të adresohej thjesht te mësimdhënësit. Në fakt, një nga gjetjet interesante të raportit tregon se ndikimi i statusit socio-ekonomik në rezultatet e nxënësve në Kosovë është ndër më të ulëtit në mesin e vendeve pjesëmarrëse. Kjo do të thotë se fëmijët nga familje me kushte të ndryshme ekonomike performojnë më afër njëri-tjetrit sesa në shumë sisteme të tjera arsimore.
Ky është tregues që në klasat tona po bëhet një punë e rëndësishme e barazimit të mundësive dhe se mësimdhënësit po arrijnë të mbajnë bashkë kategori të ndryshme sociale pa ndasi e pa përjashtime.
Problemi kryesor, sipas meje, është diku tjetër. Është te mënyra se si e kemi ndërtuar sistemin, te prioritetet që kemi vendosur ndër vite, te kurrikula, te mungesa e fokusit strategjik dhe te paaftësia jonë për të krijuar një kulturë të fortë të leximit, të të menduarit kritik dhe të zotërimit të kompetencave bazë. Kur për dekada të tëra nuk e kemi vendosur cilësinë e mësimnxënies në qendër të reformave, rezultatet e PISA-s janë vetëm pasqyra e asaj që ndodh çdo ditë në sistem.
Një tjetër mesazh që del qartë nga raporti është se sfida jonë nuk është mungesa e nxënësve të talentuar. Ne kemi të rinj që arrijnë rezultate të mira edhe në rrethana të vështira. Sfida është se kemi shumë nxënës që nuk po arrijnë kompetencat themelore, sidomos në lexim. Dhe pa lexim të mirë nuk mund të ketë as sukses në matematikë, as në shkencë, e as në jetë.
Për mua, PISA nuk është një raport që duhet të na vendosë në mbrojtje dhe as një rast për të gjetur fajtorë. Është një pasqyrë që na detyron të jemi të sinqertë me veten. Nëse mësimdhënësit tanë po arrijnë të krijojnë më shumë barazi mes fëmijëve pavarësisht dallimeve sociale, e po nxjerrim talente individuale me suksese globale – atëherë kjo tregon se potencial ka. Ajo që mungon është një sistem që ua lehtëson punën, një kurrikul më e fokusuar, politika më të mençura dhe një vizion më i qartë për atë se çfarë duam të arrijmë me arsimin.
Në fund, pyetja nuk duhet të jetë pse dolëm keq në PISA. Pyetja do të duhej të jetë kjo – pse nuk kemi guximin ta pranojmë se këto rezultate janë pasojë e zgjedhjeve tona si sistem e jo individuale?