Rreth 30 nxënës të klasave të treta dhe të katërta në aneksin e tretë të shkollës “Mihal Grameno” në Fushë Kosovë kanë mbetur pa mësuese dhe nuk po e vijojnë procesin mësimor.
Sipas informacioneve që ka siguruar Kujdestari.info, situata është krijuar pasi mësuesja që zhvillonte mësimin me këta nxënës ka kaluar në një shkollë tjetër, më afër vendbanimit të saj të ri. Kalimi i saj është mundësuar nga Drejtoria Komunale e Arsimit në Fushë Kosovë.
Si pasojë, nxënësit kanë mbetur aktualisht pa mësuese, dhe kjo gjendje pritet të vazhdojë edhe për disa ditë, derisa Komuna t’i përfundojë procedurat e konkursit për angazhimin e një mësimdhënësi/eje.
Për këtë çështje ka reaguar publikisht edhe avokati Petrit Lladrovici, i cili ka bërë të ditur se shqetësimin e kanë ngritur mbi 30 prindër.
Lladrovici ka publikuar edhe një pjesë të përgjigjes që, sipas tij, është marrë nga drejtori i Arsimit në Fushë Kosovë, Sabri Xhigoli.
Në përgjigjen e publikuar thuhet se DKA-ja e kupton shqetësimin dhe shpreh keqardhje për situatën, por përmenden ngarkesa e institucionit në fillim të vitit shkollor, procedurat e konkurseve për mësimdhënës dhe angazhime të tjera.
Sipas tekstit të publikuar nga Lladrovici, në përgjigje thuhet se “zyrtarët nga DKA-ja nuk e kanë hapësirën dhe mundësinë të merren me këtë çështje” në këtë periudhë, duke shtuar se kjo nuk nënkupton anashkalim apo neglizhim të çështjes.
Lladrovici e ka kritikuar këtë arsyetim, duke pyetur nëse arsimi është vërtet shqetësim për DKA-në në Fushë Kosovë.
“Nëse Drejtoria e Arsimit nuk ka hapësirë të merret me problemet e nxënësve dhe prindërve, me çfarë duhet të merret?”, ka shkruar ai.
Ai pretendon gjithashtu se rreth 30 email-e të dërguara nga prindërit nuk kanë marrë përgjigje, ndërsa ka kërkuar përgjegjësi, komunikim dhe zgjidhje nga institucionet komunale.
“Arsimi dhe mirëqenia e fëmijëve nuk mund të jenë prioritet vetëm kur administrata ka kohë të lirë. Rezultatet janë pasojë. Përgjegjësia fillon shumë më herët”, ka shkruar Lladrovici, duke e lidhur kritikën e tij edhe me rezultatet në testin PISA.