ROSCAP kërkon që arsimi të shpallet “urgjencë kombëtare”



nder titull

- Advertisement5 -

Rrjeti i Organizatave të Shoqërisë Civile për Arsimin Parauniversitar (ROSCAP) organizoi më 10.09.2026, në zyrat e ETEA-s në Prishtinë, një tryezë diskutimi kushtuar rezultateve të Kosovës në PISA 2025.

- paragrafi 1 -

Takimi filloi me një prezantim interpretues të gjetjeve kryesore të rezultateve të PISA 2025, të përgatitur nga eksperti i arsimit, Xhavit Rexhaj, i cili u përcoll me diskutime më të thelluara nga ana e pjesëmarrësve.

- Advertisement - M1

Pjesëmarrësit u pajtuan se rezultatet e reja nuk duhet të prodhojnë edhe një cikël diskutimesh pa veprim, por të shërbejnë për një mobilizim më të gjerë institucional dhe shoqëror.

Në këtë frymë, u shpreh gatishmëria që palët e përfshira në tryezë të kontribuojnë edhe në grupet punuese të Ministrisë së Arsimit, në kuadër të procesit strategjik Arsimi 2035+.

Ministri Hajrulla Çeku theksoi se debati për arsimin është përqendruar për një kohë të gjatë te pyetja se kush e ka fajin, ndërsa tani fokusi duhet të kalojë te pyetja “çka bëjmë tash?”.

- Advertisement - m2

Ai tha se Kosova investon mjete të konsiderueshme në arsim, por duhet të analizohet më mirë struktura e buxhetit dhe mënyra se si përdoren këto mjete. Ministri ngriti gjithashtu çështjen e problemeve të sistemit të decentralizuar, nevojën për mbrojtjen e punësimit në shkolla nga ndërhyrjet partiake, provimin shtetëror për hyrjen në profesionin e mësimdhënësit dhe fuqizimin e këtij profesioni.

Ai theksoi se gjendja e sistemit pasqyrohet përfundimisht në klasë, ku kurrikula vazhdon të jetë e ngarkuar, nxënësit mësojnë përmendësh dhe koha cilësore për të nxënë mbetet e pamjaftueshme.

Ai foli edhe për kalimin gradual drejt mësimit tërëditor, përmirësimin e kurrikulës dhe nevojën për një marrëveshje shoqërore për arsimin që shkon përtej një partie dhe një mandati qeverisës.

Edhe pjesëmarrësit e tjerë theksuan se PISA nuk duhet të trajtohet si qëllim në vetvete, por si pasqyrë e problemeve më të thella të sistemit. Në diskutim u theksua nevoja për ndërhyrje sistemike, që përfshijnë rishikimin e kurrikulës dhe mënyrës së vlerësimit të nxënësve; përmirësimin e vijueshmërisë; zhvillimin e programeve për forcimin e leximit si kompetencë bazë; zhvillimin e vazhdueshëm profesional të mësimdhënësve, avancimin e mëtutjeshëm të infrastrukturës shkollore si dhe përdorimin e të dhënave shkencore për të orientuar ndërhyrjet konkrete. Po ashtu, u theksua se ndryshimet duhet të përfshijnë njëkohësisht institucionet e nivelit qendror, komunat, shkollat dhe vetë procesin mësimor.

Në anën tjetër përfaqësuesit e ROSCAP theksuan se, krahas masave të tjera që do të diskutohen në kuadër të politikave të reja arsimore, institucionet duhet t’i trajtojnë edhe kërkesat e 12,526 qytetarëve që nënshkruan Peticionit për Shpëtimin e Arsimit, i cili është dorëzuar nga ROSCAP në Kuvendin e Kosovës më 7 mars 2024. Përfaqësuesit e ROSCAP-it ritheksuan se rezultatet e PISA 2025 duhet të shërbejnë si pikënisje për vendime konkrete dhe të matshme, ndërsa përmirësimi i arsimit kërkon përgjegjësi të përbashkët dhe veprim që tejkalon një institucion, një qeveri apo një mandat.

Tryeza e thirrur nga ROSCAP kishte për qëllim të mblidhte dhe të bashkonte të gjitha palët relevante të arsimit, të mundësonte një reflektim objektiv mbi rezultatet e PISA 2025 dhe të krijonte bazën për hartimin e një dokumenti me konkluzione dhe rekomandime të mbështetura në diskutimet e zhvilluara. Ky dokument synon t’u shërbejë institucioneve përgjegjëse për qeverisjen e arsimit në nivel qendror dhe lokal, si dhe të gjitha shkollave të Kosovës, në orientimin e veprimeve për përmirësimin e cilësisë së arsimit. Dokumenti do të publikohet së shpejti dhe do të jetë i qasshëm për të gjithë qytetarët e Kosovës.