Rexhaj: Kosova është 5-6 vjet prapa OECD-së dhe BE-së, “fëmijët po dënohen pa fajin e tyre”



nder titull

- Advertisement5 -

Ish-zëvendësministri i Arsimit në Kosovë, Xhavit Rexhaj, ka thënë se rezultatet e fundit të PISA-s nuk paraqesin një situatë të re për Kosovën, pasi vendi ka marrë rezultate të ngjashme edhe në testimet e mëparshme.

- paragrafi 1 -

“Kjo është hera e katërt që ne kemi këso rezultate; me pak dallime, kështu ishte edhe në vitet 2015, 2018 dhe 2022. Kështu është edhe tash. Dallimet prej 5, 10 e 15 pikësh në mes të viteve të ndryshme, gjinive apo fushave nuk çojnë peshë në rastet kur 85 për qind e rezultateve janë në nivelin minimal të performancës”, ka deklaruar Rexhaj.

- Advertisement - M1

Ai ka vlerësuar se Kosova vazhdon të ketë një hendek të madh në raport me vendet e OECD-së dhe Bashkimit Evropian, por edhe me vendet e rajonit.“Ne jemi mesatarisht 5-6 vjet pas OECD-së dhe BE-së dhe 3-4 vjet pas vendeve të rajonit si Shqipëria, Mali i Zi dhe Serbia”, ka thënë Rexhaj.

Sipas tij, rezultatet duhet të shërbejnë si alarm për institucionet dhe jo vetëm si një statistikë që diskutohet në momentin e publikimit.

“Një gjendje e këtillë kërkon një mobilizim të vazhdueshëm të bazuar në një program kombëtar të përmirësimit, duke u bazuar në informatat nga raporte ndërkombëtare, përfshirë edhe PISA-n, shtuar llogaridhënien dhe përgjegjësinë për performancë jo të mirë, mobilizuar të gjithë ekspertizën në dispozicion në Kosovë, por edhe në rajon, trajtuar problemet në mënyrë sistematike dhe duke u bazuar në analiza cilësore”, ka deklaruar ai.

- Advertisement - m2

Rexhaj ka kërkuar gjithashtu rritjen e efikasitetit të sistemit arsimor, duke theksuar se shpenzimet në këtë sektor nuk po reflektohen domosdoshmërisht në rezultatet e nxënësve.

“Duhet trajtuar dhe përmirësuar efikasiteti i sistemit. Kosova shpenzon relativisht shumë në arsim, sidomos në paga, por kjo nuk shndërrohet në rezultate”, ka thënë Rexhaj.

Ai ka propozuar që progresi i sistemit arsimor të vlerësohet vazhdimisht dhe jo vetëm përmes rezultateve të testeve ndërkombëtare.“Duhet të vlerësohet në fund të secilit vit progresi i bërë në drejtim të realizimit të programit”, ka thënë ai për FrontOnline.

Rexhaj ka paralajmëruar se vazhdimi i së njëjtës qasje mund të ketë pasoja afatgjata për fëmijët dhe sistemin arsimor në Kosovë.

“Nëse vazhdon avazi i vjetër, prej vitit 2015, atëherë kjo do t’i dënojë fëmijët tanë të ngecin prapa moshatarëve të tyre në rajon e në Evropë pa fajin e tyre. Prindërit sigurt do të reagojnë duke ikur nga një vend i cili i dëmton fëmijët e tyre në fushën e dijes e të arsimit. Për fat të keq”, ka deklaruar Rexhaj.