Një tjetër sukses i nxënësve të Gjimnazit “Asim Vokshi” në Bajram Curr është shënuar në fushën e arsimit dhe orientimit profesional.
Maturanti Reis Hasanpapaj është shpallur fitues në Konkursin e Arkitekturës pranë Universitetit Politeknik të Tiranës, duke siguruar kështu një hap të rëndësishëm drejt realizimit të synimit të tij për të vijuar studimet në degën e Arkitekturës.
Sipas njoftimit të publikuar nga shkolla, Hasanpapaj gjatë tri viteve të gjimnazit është dalluar për rezultate shumë të mira në mësime, përkushtim, korrektësi dhe përgjegjshmëri në përmbushjen e detyrave.
Ai ka qenë gjithashtu i angazhuar në projekte dhe punë në grup, ndërsa ka marrë pjesë edhe në “Festivalin e Shkencës” në lëndën e Fizikës. Në kuadër të këtij aktiviteti, ekipi i shkollës arriti të zërë vendin e parë në nivelin e ZVAP-it dhe DRAP-it, duke vijuar përfaqësimin edhe në nivel kombëtar.
Shkolla vlerëson se suksesi i maturantit është rezultat i përkushtimit dhe këmbënguljes së tij ndër vite, si dhe i përgatitjeve për konkursin e Arkitekturës.
Gjimnazi “Asim Vokshi” i ka uruar Hasanpapajt suksese në rrugëtimin e tij të mëtejshëm akademik, duke shprehur besimin se kjo arritje përbën vetëm fillimin e një të ardhmeje të suksesshme.
