Shkruar nga Dr.sc. Muharrem Qafleshi
Nga historia e emancipimit të gruas në trevën e Opojës
Historia e arsimit në Opojë nuk mund të shkruhet pa përmendur kontributin e grave që, me guxim dhe vendosmëri, sfiduan paragjykimet e kohës dhe hapën rrugën drejt emancipimit shoqëror.
Ndër figurat më të rëndësishme në këtë proces zë vend Refkije Qafleshi, femra e parë nga treva e Opojës që vazhdoi dhe përfundoi Shkollën e Mesme të Mjekësisë, duke u bërë njëkohësisht edhe mamia e parë vendase me arsim të mesëm profesional.
Në mesin e shekullit XX, jeta në fshatrat e Opojës karakterizohej nga një mentalitet tradicional patriarkal, sipas të cilit arsimi i vajzave konsiderohej i panevojshëm.
Shumica e tyre e ndërprisnin shkollimin pas klasës së katërt ose të tetë, ndërsa pak familje ishin të gatshme t’i dërgonin vajzat në shkollë të mesme jashtë vendlindjes.
Punët e shtëpisë, bujqësia, martesat e hershme dhe mungesa e institucioneve arsimore pranë fshatrave ishin ndër arsyet kryesore që pengonin arsimimin e femrave.
Në këtë realitet, vendimi i mësuesit Faik Qafleshi për ta mbështetur vajzën e tij në rrugën e dijes përbënte një hap të guximshëm dhe largpamës.
Pas përfundimit të shkollës fillore katërvjeçare në Zym dhe tetëvjeçares në Bellobrad, Refkije Qafleshi u regjistrua në vitin shkollor 1966–1967 në “Shkollën e Mesme të Mjekësisë” në Prizren, në degën e mamisë.
Ky ishte një moment historik për Opojën, sepse për herë të parë një vajzë nga kjo trevë vazhdonte arsimin e mesëm profesional.
Rrugëtimi i saj nuk ishte i lehtë. Procesi mësimor zhvillohej në gjuhën serbo-kroate, gjuhë që përbënte një sfidë shtesë për nxënësit shqiptarë.
Edhe jeta në konvikt kërkonte përshtatje, pasi shumica e nxënëseve ishin serbe.
Megjithatë, me përkushtim dhe këmbëngulje, Refkija arriti të përvetësonte gjuhën dhe të dallohej si një nxënëse e suksesshme.
Në vitin 1970 ajo diplomoi me sukses, duke u bërë femra e parë e Opojës me arsim të mesëm mjekësor. Më 15 tetor 1970 filloi punën si mami në Shtëpinë e Shëndetit në Dragash, ku do të shërbente për më shumë se dy dekada.
Veprimtaria e saj profesionale përkoi me një periudhë kur lindshmëria në Opojë ishte shumë e lartë, ndërsa personeli shëndetësor ishte i pakët.
Përveç orarit të rregullt të punës, ajo kryente kujdestari të natës, punonte edhe pasdite dhe shpesh hiqte dorë nga pushimi vjetor për t’u qëndruar pranë lehonave dhe foshnjave.
Për shkak të mungesës së infermierëve, kryente edhe detyra që nuk i përkisnin profilit të saj, duke mbuluar nevojat e institucionit shëndetësor.
Një pjesë e rëndësishme e angazhimit të saj ishte puna në terren.
Ajo vizitonte fshatrat e Komunës së Dragashit, ndërsa në zonat më të thella malore udhëtonte edhe me kuaj për të ofruar ndihmë mjekësore.
Ky shërbim kërkonte sakrifica të mëdha fizike dhe profesionale, por dëshmonte përkushtimin e saj ndaj komunitetit.
Gjatë karrierës u përball edhe me vështirësi të natyrës institucionale.
Si shumë profesionistë shqiptarë të kohës, punoi në rrethana jo të barabarta dhe nën një ngarkesë të vazhdueshme pune.
Pasojat e këtij angazhimi ndikuan në shëndetin e saj, duke bërë që në vitin 1996 të pensionohej si pensioniste invalidore.
Kontributi i Refkije Qafleshit shkon përtej profesionit të mamisë.
Ajo u bë simbol i ndryshimit shoqëror dhe dëshmi se arsimimi i vajzave ishte jo vetëm i mundur, por edhe i domosdoshëm për zhvillimin e komunitetit.
Shembulli i saj i inkurajoi familjet opojane të ndryshonin qëndrimin ndaj edukimit të vajzave, duke hapur rrugën për breza të tërë që më vonë ndoqën shkollat e mesme dhe universitetet.
Sot, emri i Refkije Qafleshit duhet të zërë vendin që i takon në historinë e arsimit dhe të shëndetësisë së Opojës.
Ajo nuk ishte vetëm profesionistja e parë në fushën e mamisë, por një ndër figurat më përfaqësuese të emancipimit të gruas në këtë trevë.
Guximi i saj për të sfiduar kufizimet e kohës dhe përkushtimi në shërbim të jetës njerëzore e bëjnë atë një personalitet me vlerë të veçantë historike, arsimore dhe shoqërore.
Historia e Refkije Qafleshit është histori e një gruaje që hapi një derë, nëpër të cilën më pas kaluan qindra vajza të tjera të Opojës, duke e shndërruar arsimin në një të drejtë dhe një mundësi për të gjitha.
