Ministrja e Arsimit dhe Sportit në Shqipëri, Mirela Kumbaro, ka vënë në fokus rëndësinë e standardeve profesionale dhe etikës në ushtrimin e profesionit të mësuesit.
Përmes një postimi, Kumbaro ka theksuar se puna e mësuesit ka ndikim përtej viteve të ushtrimit të profesionit, pasi edukimi i nxënësve ndikon në të ardhmen e shoqërisë.
Sipas saj, standardet profesionale, komunikimi i përgjegjshëm, integriteti dhe respekti janë ndër parimet që duhet të udhëheqin punën e mësuesve.



Kumbaro ka veçuar edhe rëndësinë e Kodit të Etikës për Mësuesit, duke e përshkruar atë si më shumë se një dokument.
Ajo ka thënë se Kodi i Etikës shërben si një “busull” për sjelljen e mësuesit në raport me nxënësit, kolegët dhe prindërit, si dhe përforcon parimet themelore të profesionit të mësuesit.
Në mesazhin e saj, ministrja ka nënvizuar se këto parime janë të rëndësishme për ushtrimin e përgjegjshëm të profesionit dhe duhet të respektohen në mënyrë të vazhdueshme në mjediset shkollore.