Në kuadër të përgatitjeve për fillimin e vitit të ri shkollor 2026/2027, në shkollën “Xhavit Ahmeti” në Prishtinë është zhvilluar një takim me mësimdhënësit, i fokusuar në mirëqenien dhe zhvillimin e nxënësve, shkruan AlbanianEducation.net.
Takimi, i mbajtur më 17 gusht, u udhëhoq nga psikologia e shkollës, Teuta Sefa, e cila bashkë me mësimdhënësit diskutoi çështje që lidhen drejtpërdrejt me aspektin emocional, social dhe të sjelljes së nxënësve.
Gjatë takimit u trajtua rëndësia e identifikimit të hershëm të vështirësive emocionale dhe të sjelljes, si dhe mënyrat për krijimin e një klime pozitive dhe mbështetëse në klasë.
Vëmendje iu kushtua edhe menaxhimit të sjelljeve sfiduese, forcimit të bashkëpunimit ndërmjet shkollës dhe familjes, si dhe përfshirjes dhe mbështetjes së nxënësve me nevoja të veçanta.
Në përmbyllje, psikologia Teuta Sefa falënderoi mësimdhënësit për angazhimin dhe bashkëpunimin e tyre, duke u uruar një vit të mbarë shkollor.
Shkolla theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet stafit arsimor dhe shërbimeve profesionale, me synim krijimin e një mjedisi sa më të sigurt, gjithëpërfshirës dhe të përshtatshëm për mirëqenien dhe zhvillimin e çdo nxënësi.