Një prind ka ngritur shqetësimin për vlerën e subvencionimit për tekstet shkollore, duke pretenduar se kostoja e librave për një nxënës të klasës së tetë është më e lartë se shuma e mbështetjes financiare të ofruar nga Ministria e Arsimit, shkruan AlbanianEducation.
Adil Paçarizi nga fshati Dragobil i Malishevës, përmes një postimi në rrjetet sociale, ka thënë se ka bërë një përllogaritje duke u bazuar në listën e teksteve të përzgjedhura nga shkolla për klasën e tetë dhe në çmimet referente të katalogut të miratuar nga MASHTI.
Sipas përllogaritjes së tij, vetëm librat për një nxënës të klasës së tetë kanë një kosto më të lartë sesa vlera e përgjithshme e subvencionimit të paraparë për atë nxënës.
“Sipas një analize të thjeshtë, duke u bazuar vetëm në listën e teksteve të përzgjedhura nga shkolla, për klasën e 8 si dhe duke i marrë çmimet referente nga katalogu i miratuar nga MASHT, rezulton që kostoja e librave është më e madhe se sa vlera e përgjithshme e mbështetjes financiare të Ministrisë për atë fëmijë”, ka shkruar Paçarizi.
Ai ka theksuar se në këtë përllogaritje nuk janë përfshirë shpenzimet e tjera që lidhen me fillimin e vitit shkollor, duke nënvizuar se shqetësimi i tij lidhet konkretisht me mospërputhjen mes kostos së librave dhe shumës së subvencionimit.
Paçarizi ka shtuar se, nëse qëllimi i skemës ka qenë vetëm lehtësimi i shpenzimeve për prindërit, atëherë mbështetja është e mirëseardhur. Ndërsa, nëse synimi ka qenë mbulimi i plotë i kostos së librave, sipas tij, shuma e subvencionimit nuk është e mjaftueshme.
“Por prap, ma mirë pak se hiq”, ka shkruar ai.
