Një prind ka deklaruar se librat shkollorë për fëmijën e tij, i cili këtë vit vijon klasën e gjashtë, i kanë kushtuar gjithsej 102 euro, shkruan AlbanianEducation.net.
Sipas tij, Ministria e Arsimit ka subvencionuar 90 euro për blerjen e librave, ndërsa pjesën tjetër prej 12 eurosh e ka mbuluar vetë.
“Rrafsh 102 euro më kushtuan. Në rregull, kanë dashur të na ndihmojnë, ajo është tjetër çështje, ama të mjaftueshme nuk janë”, ka shkruar prindi në një reagim të tij.
Ai ka ngritur shqetësim edhe për mënyrën e shpërndarjes së librave, duke e krahasuar sistemin aktual me vitet e mëparshme, kur, sipas tij, nxënësit i gjenin librat në bankat e tyre që në ditët e para të fillimit të vitit shkollor.
“Pse nuk kanë shkuar, vëlla, si në atë sistemin si ata para këtyre, që kur ka shkuar nxënësi në shkollë i ka pasur librat mbi bankë, gati?”, ka shkruar ai.
Prindi ka theksuar se këtë vit është dashur që prindërit të presin në librari për t’i siguruar librat, duke thënë se ka më shumë se një javë që procesi po zhvillohet në këtë mënyrë.

Reagimi vjen në kohën kur prindërit po përballen me procesin e sigurimit të librave shkollorë për vitin e ri shkollor, përmes subvencionimit të ofruar nga Ministria e Arsimit.