Në një nismë që synon promovimin e figurave frymëzuese të arsimit shqiptar, Presidenti i Qeverive të Nxënësve të ZVA Kamëz, Krenar Dunga, shprehu vlerësimin e tij në emër të Presidencës së ZVA Kamëz për Nazmie Peposhin, mësuese e ciklit fillor në shkollën “Halit Coka”, ZVA Kamëz, duke kontribuar në realizimin e një episodi të veçantë në emisionin RTSH +-18, kushtuar rrugëtimit dhe kontributit të saj profesional ndër vite.
Kjo nismë lindi si një formë mirënjohjeje për përkushtimin e vazhdueshëm të mësueses Peposhi në edukimin e brezave të rinj, si edhe për ndikimin pozitiv që ajo ka pasur ndër vite në jetën shkollore dhe komunitetin arsimor të Bathores.
Për Presidentin dhe Ministrin e Shkencave në Parlamentin e Nxënësve Krenar Dunga, promovimi i figurës së mësuesit është një përgjegjësi qytetare dhe institucionale, pasi mësuesit përfaqësojnë themelet mbi të cilat ndërtohet e ardhmja e shoqërisë. Pikërisht për këtë arsye, ai ndërmori iniciativën që historia dhe përvoja e mësueses Nazmie Peposhi të përcillej për publikun përmes një emisioni televiziv me fokus tek arsimi dhe rinia.
“Vlerësimi i figurës së mësuesit nuk duhet të mbetet i kufizuar brenda hapësirave fizike të institucionit arsimor. Vlerësimi, në fakt, përbën një imperativ shoqëror, pasi mësuesit janë arkitektët e ndërgjegjes qytetare dhe të formimit intelektual të brezave. Ata meritojnë të afirmohen në diskursin publik si paradigma të integritetit, përkushtimit dhe ekselencës profesionale. Mësuese Nazmie Peposhi është një prej atyre personaliteteve që, përmes devocionit, erudicionit pedagogjik dhe përkushtimit të palëkundur ndaj nxënësve, ka lënë një gjurmë të pashlyeshme në peizazhin arsimor të Kamzës,” u shpreh Krenar Dunga.

Kjo iniciativë përcjell një mesazh të rëndësishëm për rritjen e kulturës së mirënjohjes ndaj mësuesve, duke i vendosur ata në qendër të vëmendjes publike si figura me ndikim të jashtëzakonshëm në formimin e brezave të ardhshëm.
Urime mësueses Nazmie Peposhi për këtë vlerësim dhe suksese të mëtejshme në misionin e saj fisnik në shërbim të arsimit dhe fëmijëve. Shumë urime Presidentit Krenar Dunga që nëpërmjet bashkëpunimeve të intitucioneve arsimore arriti që të krijojë një traditë për vlerësimin që çdo mësues meriton, si një nxënës e president shembullor që është.
Nisma e Presidentit synon të shndërrohet në një traditë të qëndrueshme, ku figura e mësuesit të mos vlerësohet vetëm në ditë simbolike, por gjatë gjithë vitit si një nga shtyllat themelore të zhvillimit të shoqërisë