Një grup studiuesish dhe profesionistësh nga Kosova morën pjesë në AEIF Alumni Summit 2026 – “Freedom 250: AI Innovation and Entrepreneurship in the Western Balkans”, të mbajtur më 19 dhe 20 shtator në Sarajevë të Bosnjë dhe Hercegovinës.
Samiti mblodhi 80 alumni të programeve të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara nga Kosova, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, me fokus në Inteligjencën Artificiale, inovacionin, ndërmarrësinë dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal.
Kosova u përfaqësua nga Arta Berisha, Vlora Berisha-Drançolli, Vullnet Ilazi, Sefer Avdiaj, Riad Ramadani, Bahtir Hyseni, Riga Sadiku, Era Nura dhe Redon Istogu, alumni dhe profesionistë nga fusha të ndryshme.
Një nga takimet e rëndësishme gjatë samitit ishte ai me Irfan Mirza, Director of Data Center Integration në Microsoft, i cili ka më shumë se dy dekada përvojë në kompaninë globale të teknologjisë.
Takimi krijoi hapësirë për të diskutuar edhe për pozitën e vendeve të vogla si Kosova në zhvillimin e shpejtë të Inteligjencës Artificiale. Një nga çështjet e ngritura ishte rëndësia që vendeve te vogla të mos mbeten në margjinat e zhvillimeve të reja teknologjike.
Në një kohë kur Inteligjenca Artificiale po transformon mënyrën se si punojmë, komunikojmë dhe krijojmë dije, bashkëpunimi dhe shkëmbimi i përvojave me profesionistë që punojnë në infrastrukturën teknologjike që mbështet këto zhvillime merr rëndësi të veçantë edhe për Kosovën.

Pas takimit, Mirza ndau publikisht përshtypjet e tij për grupin nga Kosova dhe shprehu interesim personal për ta vizituar vendin.
“Jam shumë i impresionuar nga të gjithë njerëzit që takova në AEIF Summit dhe ky grup liderësh të zgjuar dhe të talentuar më la aq shumë përshtypje, saqë tani DUHET të planifikoj një vizitë në Kosovë. Ishte kënaqësi t’ju takoja të gjithëve dhe pres të mbetemi në kontakt dhe të punojmë së bashku,” shkroi Mirza.

Interesimi i tij për një vizitë në Kosovë krijon mundësi që bisedat e nisura në Sarajevë të vazhdojnë edhe në Kosovë, veçanërisht rreth rolit që vendet e vogla mund të luajnë në zhvillimin e AI-së, infrastrukturës teknologjike dhe përfaqësimit të gjuhëve me më pak folës.

AEIF Alumni Summit 2026 u organizua në kuadër të iniciativës Freedom 250, duke bashkuar alumni të programeve amerikane nga Ballkani Perëndimor për të diskutuar se si AI po transformon biznesin, inovacionin dhe shoqërinë, si dhe për të krijuar mundësi të reja për bashkëpunim rajonal.
Pjesëmarrja e përfaqësuesve nga Kosova u mbështet nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, ndërsa samiti në Sarajevë u zhvillua me mbështetjen e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Bosnjë dhe Hercegovinë. / AlbanianEducation.net