Pas rezultateve të dobëta në PISA, profesori Blerim Rexha propozon sistem kombëtar garash



nder titull

- Advertisement5 -

Pas rezultateve shqetësuese të Kosovës në PISA, profesori Blerim Rexha ka propozuar krijimin e një sistemi kombëtar garash në matematikë, shkencë, lexim dhe zgjidhje problemesh me mjete kompjuterike.

- paragrafi 1 -

Sipas tij, zgjidhja e problemeve duhet të bëhet pjesë e përditshme e jetës shkollore, përmes garave që nisin në nivel shkolle dhe vazhdojnë në nivel komunal e kombëtar.

- Advertisement - M1

Propozimi kryesor i Rexhës është që këto gara të organizohen në tri nivele – shkollor, komunal dhe kombëtar – me synimin që të përfshihen të gjitha shkollat në Kosovë. Raundi shkollor, sipas tij, duhet të jetë i hapur për të gjithë nxënësit, të zhvillohet brenda orarit mësimor dhe të mos jetë i lidhur me notën.

“Qëllimi është të nxisim kureshtjen, të zbulojmë potencialin dhe t’u japim nxënësve mundësinë të mësojnë edhe nga gabimet”, thekson Rexha në një tryezë diskutimi të organizuar nga ROSCAP më 10 shtator në Prishtinë.

Postimi i plotë i tij:

- Advertisement - m2

E di që kanë kaluar tri ditë nga publikimi i rezultateve të PISA-s 🙂. Meqë thuhet se pas tri ditësh i harrojmë, me leje, po e zgjas edhe pak këtë debat!

Po ndaj këtu propozimet që paraqita në tryezën e diskutimit të organizuar nga ROSCAP, më 10 shtator, në zyrat e ETEA-s në Prishtinë.

Kërkesa e organizatorit, Agon A. Ahmeti, ishte të ishim të shkurtër: 3–4 minuta, dy-tri probleme dhe propozime konkrete për zgjidhjen e tyre. Prandaj, si profesor i kompjuterikës, u përqendrova tek fusha e katërt e vlerësimit në PISA : zgjidhja e problemeve me mjete kompjuterike.

Edhe këtu gjendja është shqetësuese: 359 pikë kundrejt mesatares prej 500 pikësh të OECD-së. Një hendek prej 141 pikësh, më i madhi nga të katër fushat. Kosova renditet e 81-ta ndër 85 sisteme arsimore.

Nga përvoja ime në sigurinë kibernetike, veçanërisht në udhëheqjen e Kosova Cyber Team, zgjodha një qasje që e përdorim çdo ditë: identifiko dobësinë dhe zbato arnimin — “find the vulnerability and patch it”. Në arsim, këto “arnime” nënkuptojnë ndërhyrje konkrete, zbatimin dhe efektin e të cilave mund t’i matim.

Tri dobësitë që veçova janë:

🔹 Vijueshmëria. Vetëm 28% e nxënësve raportojnë se nuk kanë munguar nga shkolla, kundrejt 66% në OECD. Pa pjesëmarrje të rregullt në mësim, vështirë të ndërtojmë njohuri dhe aftësi të qëndrueshme.

🔹 Angazhimi në zgjidhjen e detyrave. Një në pesë përgjigje ishte njëkohësisht e gabuar dhe e dhënë me shpejtësi. Kjo ngre një pyetje për mënyrën si mësojmë dhe vlerësojmë: a po i mësojmë nxënësit të ndalen, të mendojnë dhe të provojnë, apo thjesht të klikojnë “Next”?

🔹 Nxënësit me arritje të larta. Në nivelet më të larta, përqindja është 0,0%. Krahas mbështetjes për nxënësit që kanë vështirësi, duhet të krijojmë mundësi që edhe nxënësit me potencial të sfidohen dhe të përparojnë.

Çfarë “arnimesh” propozova?

Brenda gjashtë muajve të nisin dy masa: regjistri elektronik i vijueshmërisë, i shoqëruar me reagim të shkollës dhe komunikim me prindërit; dhe një databazë kombëtare detyrash praktike, ku nxënësit zbatojnë njohuritë, arsyetojnë dhe zgjidhin probleme.

Paralelisht, duhet të forcojmë leximin me kuptim dhe aftësitë bazë matematikore që në klasat e treta dhe të katërta. Kjo është punë afatgjatë, por pikërisht për këtë duhet të nisë tani. Nxënësit që do të testohen më 2029 janë tashmë në klasë të 7-8, dhe koha që kemi në dispozicion është e kufizuar.

Propozimi im kryesor është një sistem kombëtar garash që e bën zgjidhjen e problemeve pjesë të jetës shkollore.

Në garat e sigurisë kibernetike, të rinjtë mësojnë përmes një procesi të qartë: eksploro, provo, dështo, korrigjo dhe vazhdo. Këtë e shohim vazhdimisht me Kosova Cyber Team.
Në kompjuterikë, nuk mjafton që një program të japë rezultatin e saktë. Rëndësi ka edhe mënyra si arrihet ai: a e kupton nxënësi problemin, a mund ta përmirësojë zgjidhjen dhe a gjen një rrugë më efikase? Pikërisht këto aftësi mund t’i zhvillojmë përmes sfidave dhe garave të menduara mirë.

Prandaj propozoj gara në katër fusha: matematikë, shkencë, lexim dhe zgjidhje problemesh me mjete kompjuterike, të organizuara në tri nivele: shkollor, komunal dhe kombëtar.

Raundi shkollor duhet të jetë i hapur për të gjithë, brenda orarit mësimor dhe pa notë. Qëllimi është të nxisim kureshtjen, të zbulojmë potencialin dhe t’u japim nxënësve mundësinë të mësojnë edhe nga gabimet.

Modelet i kemi. Gara Kangaroo ka krijuar traditë te ne, ndërsa Kosova Cyber Team e ka dëshmuar rrugëtimin nga përzgjedhja dhe trajnimi deri te pjesëmarrja në gara Europiane. Tani duhet ta zgjerojmë mundësinë e pjesëmarrjes në çdo shkollë.

Kërkesa ime është konkrete: deri në mars 2027 të merret vendimi që çdo shkollë të organizojë raundin e vet. Objektivi për vitin 2029: përfshirja e të gjitha shkollave dhe pjesëmarrja e së paku 40% të nxënësve.

Përgjegjësia jonë për arsimin vazhdon edhe pas ditës së tretë.