Pas 54 vitesh nga përfundimi i gjimnazit, ish-maturantët e gjeneratës së vitit 1972 u rikthyen në Gjimnazin “Vëllezërit Frashëri” në Deçan, për të shënuar përvjetorin e maturës dhe për të rikujtuar vitet e rinisë të kaluara në bankat e kësaj shkolle.
Me këtë rast, drejtori i gjimnazit, Hamid Qorraj, priti në takim prof. dr. Selim Dacaj dhe ish-maturantët e kësaj gjenerate.
Prof. dr. Selim Dacaj, i cili në atë kohë ishte kujdestar i klasës IV/3, u bashkua me ish-nxënësit e tij në një takim të veçantë, ku u rikujtuan momente nga jeta shkollore, shoqëria e asaj kohe, mësuesit dhe përvojat e paharruara të viteve të gjimnazit.
Gjenerata e vitit 1972 vlerësohet si një prej gjeneratave të veçanta të këtij gjimnazi, me ish-nxënës që ndër vite kanë dhënë kontribut në fusha të ndryshme të jetës dhe kanë përfaqësuar me sukses Deçanin dhe Kosovën.
Takimi në ambientet e shkollës shërbeu edhe si një mundësi për të ruajtur lidhjen me institucionin ku u formuan profesionalisht e shoqërisht dhe për të përcjellë kujtimet e një periudhe të rëndësishme të jetës së tyre.
Gjimnazi “Vëllezërit Frashëri” i uroi ish-maturantëve 54-vjetorin e maturës, duke shprehur respekt dhe mirënjohje për kontributin e kësaj gjenerate.