Një kapitull i rëndësishëm i jetës profesionale është përmbyllur në shkollën “Ismail Qemali” në Saradran, ku mësimdhënësja Shqipe Mahmutaj, në ditën e 65-vjetorit të lindjes, i ka dhënë fund karrierës së saj në arsim dhe ka dalë në pension, shkruan AlbanianEducation.net.
Për 21 vite, Mahmutaj ka qenë pjesë e kësaj shkolle, duke kontribuar në edukimin dhe arsimimin e brezave të nxënësve. Gjatë viteve të punës, ajo është vlerësuar për përkushtimin, profesionalizmin dhe angazhimin e saj në punën me nxënësit.
Me rastin e pensionimit, mësimdhënësja u përshëndet nga kolegët dhe drejtori i shkollës, në prani të mësimdhënësve të paraleles në Trubuhoc.
Drejtori i shkollës e falënderoi përzemërsisht Mahmutajn për kontributin dhe përkushtimin e saj ndër vite në shkollë, duke i uruar pensionim të mbarë dhe vite të lumtura pranë familjes.
Nga SHFMU “Ismail Qemali” i kanë përcjellë mësimdhënëses urimet për shëndet, lumturi dhe një kapitull të ri të jetës, pas një karriere të gjatë në shërbim të arsimit.
“Faleminderit për gjithçka që dhatë për nxënësit dhe shkollën tonë! Urime 65-vjetori dhe pensionimi!”, thuhet në urimin e shkollës.