Sot nis viti i ri shkollor 2026-2027 në Shqipëri, shkruan AlbanianEducation.net.
Në ditën e parë të vitit të ri shkollor, Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, iu drejtua me një videomesazh nxënësve të arsimit parauniversitar, duke u uruar suksese dhe një vit të mbarë shkollor.
Kumbaro vuri në dukje përmirësimin e infrastrukturës shkollore, forcimin e masave të sigurisë dhe zgjerimin e aktiviteteve pas mësimit.
Ajo u adresoi një urim të veçantë rreth 25 mijë fëmijëve që ulen për herë të parë në bankat e shkollës.
“Ne të rriturit, mësuesit dhe drejtuesit e shkollave jemi kujdesur që kjo të jetë një ditë e bukur dhe e gëzueshme, në mënyrë që ju të ruani kujtime të mira prej saj”, u shpreh ministrja.
Gjatë mesazhit, Kumbaro theksoi rëndësinë e përqendrimit te mësimi dhe u kërkoi nxënësve të respektojnë rregullin për vendosjen e celularëve në kuti para nisjes së orëve.
“Mos e quani një urdhër-ndalim. Është shumë e rëndësishme që e gjithë vëmendja dhe fokusi juaj të jetë në mësim”, tha ajo.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit, 53 shkolla të reja ose të rehabilituara hapin dyert këtë vit shkollor. Ndërkohë, janë miratuar edhe 39 projekte të tjera për rikonstruksionin e institucioneve arsimore.
Në fokus të vitit të ri shkollor është edhe siguria. Mbi 400 oficerë sigurie do të jenë në shërbim të nxënësve, ndërsa shërbimi psiko-social është fuqizuar me rreth 900 psikologë dhe punonjës socialë në shkollat e vendit.
Njëzet shkolla në Tiranë janë pjesë e projektit pilot “Smart City”, i cili parashikon masa të shtuara sigurie përmes kamerave inteligjente.
Ndërkohë, programi “Pas Shkolle”, pas fazës pilot të zhvilluar në Tiranë gjatë vitit të kaluar, shtrihet këtë vit në 408 shkolla në të gjithë vendin. Nxënësit do të kenë mundësi të zgjedhin klube dhe aktivitete në fusha si arti, muzika, teatri, sporti, zejet dhe fusha të tjera.
Për organizimin e aktiviteteve është hapur edhe thirrja për trajnerë, ku mund të aplikojnë mësues, mësues në pension, artistë, artizanë dhe profesionistë të fushave përkatëse.
Nga të dhënat paraprake të Ministrisë së Arsimit rezulton se rreth 1,200 nxënës janë transferuar këtë vit nga shkollat jopublike në shkollat publike. Sipas ministrisë, kjo prirje tregon rritjen e besimit të familjeve te cilësia dhe mundësitë që ofron sistemi publik i arsimit.