Ndonëse kanë mbetur vetëm pak ditë deri në fillimin e vitit të ri shkollor 2026/2027, prindërit ende nuk i kanë pranuar në xhirollogaritë e tyre mjetet për blerjen e teksteve shkollore nga Ministria e Arsimit.
Ndërkohë, shitja e librave tashmë ka nisur në librari, teksa prindërit kanë filluar të furnizohen me tekstet për fëmijët e tyre.
Shtëpia Botuese “Dukagjini” ka nisur zyrtarisht shitjen e teksteve shkollore, duke shtuar stafin dhe zgjatur oraret e punës në disa pika për t’iu përgjigjur kërkesës së prindërve.
Sipas raportimit të Ekonomia Online, interesimi për blerjen e librave ka qenë i madh që nga orët e para të shitjes.
“Prej mëngjesit e kemi pasur një fluks, një fluks të pritshëm si gati çdo vit”, ka thënë Elvin Blakaj, koordinator i mediave në librarinë “Dukagjini”, raportoi Ekonomia Online.
Megjithatë, pavarësisht se libraritë kanë nisur shitjen dhe prindërit kanë filluar blerjen e teksteve, mjetet për subvencionimin e librave ende nuk janë ekzekutuar në xhirollogaritë e prindërve.
Viti i ri shkollor 2026/2027 nis më 1 shtator, çka i lë prindërit me pak ditë në dispozicion për t’i siguruar tekstet shkollore dhe për të përfituar nga mjetet e parapara për subvencionim.