MËSUESI NË BANKËN E TË AKUZUARVE
Shkolla shqiptare mes krizës së autoritetit, përgjegjësisë dhe një reforme që ende nuk ka dëgjuar sa duhet zërin e klasës.
Ka ardhur koha të flasim seriozisht për shkollën shqiptare. Jo për statistikat. Jo për ceremonitë. Jo për sloganet. Por për atë që ndodh çdo ditë brenda klasës.
Sepse një shoqëri mund të ndërtojë rrugë, ura, godina dhe platforma dixhitale. Mund të ndryshojë kurrikula, tekste dhe struktura administrative. Por nëse nuk arrin të ndërtojë një shkollë ku nxënësi mëson, mësuesi respektohet dhe prindi bashkëpunon, atëherë problemi është shumë më i thellë se një reformë e papërfunduar.
Problemi është te modeli i shkollës që po ndërtojmë.
Dhe sot shkolla shqiptare duket se ndodhet në një udhëkryq.
Nga njëra anë flasim për kompetenca, mendim kritik, gjithëpërfshirje, inovacion, teknologji dhe qytetari europiane. Nga ana tjetër, në shumë raste, mësuesi përballet me një realitet ku autoriteti profesional vihet vazhdimisht në diskutim, përgjegjësitë shtohen, ndërsa hapësira për të ushtruar gjykimin e tij profesional ngushtohet.
Atëherë duhet të bëjmë një pyetje të thjeshtë:
Çfarë kërkojmë nga mësuesi dhe çfarë i japim atij në këmbim?
Mësuesi nuk mund të jetë fajtor për gjithçka
Në debatin publik për arsimin, mësuesi shpesh gjendet në një pozitë paradoksale.
Kur rezultatet janë të mira, sistemi funksionon.
Kur rezultatet janë të dobëta, pyetet mësuesi.
Kur nxënësi nuk mëson, kërkohet përgjegjësia e mësuesit.
Kur ka probleme disiplinore, sërish kërkohet përgjegjësia e mësuesit.
Kur prindi nuk bashkëpunon, mësuesi duhet të gjejë zgjidhjen.
Kur sistemi nuk funksionon siç duhet, mësuesi duhet të përshtatet.
Por pyetja është: ku fillon dhe ku mbaron përgjegjësia e mësuesit?
Mësuesi duhet të mbajë përgjegjësi për punën e tij. Patjetër.
Por një profesionist nuk mund të mbajë përgjegjësi të pakufizuar për faktorë që nuk varen prej tij.
Nuk mund t’i kërkohet llogari për mungesën e mbështetjes familjare, për problemet sociale të nxënësit, për dobësitë institucionale apo për kontradiktat e vetë sistemit dhe, njëkohësisht, t’i kufizohet autoriteti profesional.
Përgjegjësi pa autoritet është një ekuacion që nuk prodhon cilësi.
Autoriteti i mësuesit nuk është luks
Le ta themi pa ekuivok:
Një shkollë pa autoritet pedagogjik nuk është shkollë moderne. Është shkollë e paqartë.
Autoriteti nuk është frikë.
Autoriteti nuk është poshtërim.
Autoriteti nuk është ndëshkim.
Autoriteti është kompetencë, drejtësi, qëndrueshmëri dhe besueshmëri.
Një mësues duhet të jetë në gjendje të vendosë standarde, të kërkojë përmbushjen e tyre dhe të vlerësojë nxënësin mbi bazën e asaj që ai realisht di dhe bën.
Nëse çdo vendim profesional i mësuesit mund të vihet në dyshim nga presioni i momentit, nga ndërhyrjet e jashtme apo nga frika e konfliktit, atëherë nuk kemi më autoritet profesional.
Kemi vetëm përgjegjësi administrative.
Dhe kjo është shumë pak për të edukuar një brez.
Nxënësi ka të drejta. Por edhe detyrime.
Kjo duhet thënë edhe më qartë.
Nxënësi ka të drejtë të respektohet.
Ka të drejtë të mos diskriminohet.
Ka të drejtë të shprehet.
Ka të drejtë të mësojë në një mjedis të sigurt.
Por ka edhe një detyrim themelor:
të respektojë të drejtën e të tjerëve për të mësuar.
Demokracia në shkollë nuk është mungesë rregullash.
Liria nuk është mungesë përgjegjësie.
Dhe gjithëpërfshirja nuk mund të interpretohet si tolerim pa kufij i sjelljeve që cenojnë të tjerët.
Nëse një nxënës sillet në mënyrë të përsëritur në kundërshtim me rregullat e shkollës, sistemi duhet të ketë një përgjigje të qartë, profesionale dhe edukative.
Jo hakmarrje.
Jo poshtërim.
Jo përjashtim automatik.
Por ndërhyrje, rehabilitim, përgjegjësi dhe rikthim në procesin edukativ.
Xhevo Shaqiri
Kjo kërkon psikologë, punonjës socialë, struktura mbështetëse dhe procedura që funksionojnë realisht, jo vetëm në dokumente.
Një shkollë e pasigurt nuk mund të prodhojë qytetarë të sigurt
Dhuna, kërcënimet, fyerjet, intimidimi dhe çdo sjellje që cenon sigurinë fizike apo psikologjike të nxënësve dhe stafit nuk janë “probleme të vogla disiplinore”.
Janë sinjale.
Dhe një sistem serioz duhet t’i lexojë sinjalet përpara se ato të shndërrohen në krizë.
Shkolla duhet të jetë një nga vendet më të sigurta të shoqërisë.
Nëse mësuesi hyn në klasë pa ndier se institucioni qëndron pas tij, dhe nëse nxënësi hyn në klasë pa ndier se është i mbrojtur, atëherë kemi humbur një nga funksionet themelore të arsimit.
Siguria nuk është privilegj. Është kusht për të mësuar.
– Vlerësimi: kur nota humbet kuptimin
Ka edhe një problem tjetër që nuk mund të fshihet pas statistikave.
Çfarë po masim kur vlerësojmë një nxënës?
Dhe a përputhet ajo që matet gjatë vitit me atë që matet në fund të tij?
Kur një nxënës paraqet gjatë vitit rezultate minimale, ndërsa në një provim përfundimtar arrin rezultate dukshëm më të larta, kjo nuk duhet të përdoret automatikisht për të akuzuar mësuesin apo nxënësin.
Por duhet të ngrejë një pyetje profesionale:
A kemi dy standarde të ndryshme vlerësimi?
Nëse po, duhet ta dimë pse.
Sepse nota nuk është dekor.
Nota është informacion.
Ajo duhet t’i tregojë nxënësit se ku ndodhet dhe çfarë duhet të përmirësojë.
Në momentin që nota humbet besueshmërinë, humbet kuptimin edhe vetë procesi i vlerësimit.
– Prindi duhet të jetë partner, jo gjykatës i mësuesit
Ka ardhur koha të rivendosim një ekuilibër edhe në marrëdhënien prind-shkollë.
Prindi ka të drejtë të kërkojë cilësi.
Ka të drejtë të informohet.
Ka të drejtë të ngrejë shqetësime.
Por prindi nuk mund të zëvendësojë profesionistin.
Ashtu si mësuesi nuk mund të zëvendësojë prindin.
– Fëmija ka nevojë për të dy.
Kur prindi dhe mësuesi përplasen, shpesh fiton konflikti dhe humbet nxënësi.
Kur bashkëpunojnë, fiton fëmija.
Kjo është kaq e thjeshtë dhe, megjithatë, kaq e vështirë për t’u zbatuar.
– Kush zgjedh mësuesin? Kush zgjedh drejtuesin?
Një sistem arsimor është po aq i mirë sa standardet me të cilat zgjedh njerëzit që e drejtojnë.
Prandaj përzgjedhja e mësuesve dhe drejtuesve duhet të mbështetet mbi kompetencën, transparencën, meritën dhe llogaridhënien.
As presioni politik, as miqësitë personale, as interesat lokale dhe as konfliktet e çastit nuk duhet të përcaktojnë karrierën e një profesionisti.
Dhe këtu duhet të jemi veçanërisht të kujdesshëm.
Sepse kur një sistem zgjedh njeriun e gabuar për një pozicion drejtues, pasojat nuk mbeten te ai individ.
Ato përhapen në të gjithë shkollën.
Një drejtues i mirë nuk administron vetëm oraret, dokumentet dhe mbledhjet.
Ai ndërton kulturën e institucionit.
Ai krijon klimën profesionale.
Ai mbron standardin.
Ai dëgjon.
Ai vendos.
Dhe, mbi të gjitha, ai mban përgjegjësi.
-Mos e burgosni mësuesin brenda tekstit shkollor
Edhe tekstet shkollore duhet të shihen me sy kritik.
Mësuesi është ai që e provon tekstin në realitet.
Jo komisioni.
Jo botuesi.
Jo raporti.
– Klasa.
Ai e di se cilat pjesë funksionojnë, cilat janë të vështira për nxënësit, cilat kërkojnë materiale shtesë dhe cilat nuk i përgjigjen më realitetit.
Prandaj mësuesi duhet të ketë zë më të fortë në vlerësimin e teksteve.
Standardi është i nevojshëm.
Por standardi nuk duhet të bëhet burg.
Mësuesi profesionist duhet të ketë lirinë të përdorë materiale plotësuese dhe metoda të ndryshme kur ato i shërbejnë objektivave të të nxënit.
Një tekst i mirë e ndihmon mësuesin. Një sistem i mirë i beson mësuesit.
“Thellimi” nuk mund të jetë më shumë nga e njëjta gjë
Edhe koncepti i lëndëve të thelluara meriton një debat të ri.
Të thellosh nuk do të thotë të ngarkosh.
Nuk do të thotë të shtosh faqe.
Nuk do të thotë të përsëritësh më gjatë atë që nxënësi ka bërë më parë.
Të thellosh do të thotë të hapësh horizonte të reja.
Në letërsi, për shembull, nxënësi mund të krahasojë autorë e rryma, të lidhë letërsinë me historinë, psikologjinë, filozofinë dhe artet, të analizojë tekstin nga perspektiva të ndryshme dhe të kuptojë se një vepër letrare nuk ekziston e shkëputur nga koha dhe shoqëria.
Poradeci, Migjeni, Anton Pashku, Kadare apo Kongoli nuk duhet të mbeten thjesht emra që duhen mbajtur mend.
Ata mund të bëhen pikënisje për pyetje.
Dhe shkolla që mëson të bësh pyetje është shumë më e vlefshme se shkolla që të mëson vetëm të japësh përgjigje.
– Reforma nuk bëhet nga zyra
Kjo është ndoshta pika më e rëndësishme.
Nuk mund të reformosh arsimin pa dëgjuar shkollën.