Vlerësimi i nxënësve është ndër komponentët më të rëndësishëm të kurrikulës me bazë kompetencat.
Ky vlerësim, bazuar në rezultatet e të nxënit, përfshin gjykimin për arritjet e nxënësve (njohuri, shkathtësi, vlera dhe qëndrime) përkundrejt niveleve të arritjes së kompetencave të të nxënit.
Gjatë viteve të para të shkollës, kujdes i veçantë i kushtohet zhvillimit të personalitetit të fëmijës dhe qëndrimit pozitiv ndaj të nxënit, si bazë për zhvillimin e kompetencës kyçe “Të mësuarit për të nxënë”.
Mësuesi, në përputhje me parimet themelore të vlerësimit, siguron përdorimin e të gjitha llojeve të vlerësimit, të cilët përcaktohen si të domosdoshëm për të vlerësuar arritjet dhe zhvillimin individual, për të evidentuar anët dhe pikat e forta, si dhe drejtimet te të cilat çdo nxënës ka nevojë për ndihmë, mbështetje dhe motivim.
Vlerësimi realizohet nëpërmjet përdorimit të instrumenteve dhe të procedurave të ndryshme të mbledhjes së të dhënave, interpretimit dhe analizës së tyre në dobi të përmirësimit të mësimdhënies dhe të të nxënit.
Njohja më e mirë e nxënësit dhe e arritjeve të tij e ndihmon mësuesin dhe prindin të punojnë më tepër në ato drejtime, të cilat pengojnë ecurinë dhe përparimin e tij të mëtejshëm.
Kohë pas kohe, gjykimi për atë çfarë arrin nxënësi sinjalizon të rriturin si po lëviz trajektorja e progresit të tij.