Nga Shpresa Misini Osmani: Rezultatet e PISA-s përtej numrave



nder titull

- Advertisement5 -

Pasi u publikuan rezultatet e PISA-s, filluam ritualin e zakonshëm: fajin e ka mësuesi, ministria, kurrikula, nxënësi… dhe pas tri ditësh do të harrohet gjithçka. Po ndoshta ia vlen të shohim pak më thellë.

- paragrafi 1 -

1. PËRMBYSJA E EFEKTIT FLYNN

- Advertisement - M1

Gjatë shekullit XX, IQ-ja mesatare u rrit nga një gjeneratë në tjetrën, fenomen i njohur si Efekti Flynn, i lidhur me përmirësimin e ushqyerjes, shëndetit dhe arsimit. Por në disa vende të zhvilluara ky trend ka stagnuar, madje është përmbysur. Disa studime sugjerojnë rënie në disa aftësi njohëse te gjeneratat e reja. Dhe ndër faktorët që po shqyrtohen ende janë edhe ekspozimi i tepërt ndaj ekraneve, telefonave dhe përmbajtjeve digjitale.
Pra, ndoshta problemi nuk është vetëm se fëmijët nuk po mësojnë mjaftueshëm.
Ndoshta po mësohen të mos përqendrohen.

2. POLITIKA ARSIMORE E “BOTËS SË VJETËR”

Ne ende kemi një sistem që shpesh mat sa mirë e ka memorizuar fëmija një përgjigje, në vend se sa mirë di të mendojë.
Test. Pikë. Notë. Diplomë.
Dhe pastaj habitemi pse një 18-vjeçar nuk di të analizojë një problem të thjesht si ai i testit Pisa ku vajza nuk shkon në shëtitje.
Arsimi modern duhet të zhvillojë mendimin kritik, zgjidhjen e problemeve, kreativitetin, komunikimin dhe aftësinë për të funksionuar në jetën reale.
Jo vetëm aftësinë për ta mbajtur mend një kapitull deri ditën e testit.

- Advertisement - m2

3. TELEFONI DHE PËRQËNDRIMI

Një njoftim. Një pëlqim. Një video. Një tjetër video. Pastaj vetëm edhe një.
Truri mësohet me shpërblime të shpejta dhe stimul të vazhdueshëm.
Video 15 sekonda? Po.
Tekst 15 faqe? “A e ka versionin e shkurtë?”
Përmbajtje e shpejtë, hite muzikore, vetura, pamje perfekte nga Roma nga nje modele e bukur, ndryshim i vazhdueshëm stimulimi.
Dhe pastaj kërkojmë nga fëmija të ulet 45 minuta dhe të lexojë një tekst “monoton” nga Gjergj Fishta.
Ndoshta teksti nuk monoton. Ndoshta truri është mësuar me spektakël.

4. KOSOVA

Këtu bëhet edhe më interesante.
Fëmija ynë rritet shpesh në një shtëpi ku bashkëjetojnë disa gjenerata dhe ku televizori është gjithmonë ndezur. Reality show. Debate politike me britma. Dhunë. Gjuhë vulgare. Përmbajtje eksplicite. Persona viral që japin këshilla mjekësore, artistike, psikologjike e sociale pa pasur asnjë kompetencë, përmbajtje që fëmijët në mënyrë të pavullnetshme e konsumojnë.
Tutje, kemi kohë të shkurtër mësimi, fare pak sport, muzikë, art, e edhe edhe më pak lexim.
Rallë shihet një fëmijë me libër.
Në park? Telefon.
Në autobus? Telefon.
Në aeroplan? Telefon.
Në pushime? Telefon.

5. KOMUNIKIMI/GJUHA SHQIPE

Një fëmijë nuk e zhvillon gjuhën e mendimin kritik vetëm në bankën e shkollës. E zhvillon në shtëpi, në biseda, përmes librave, fjalorit që dëgjon dhe mënyrës se si të rriturit rreth tij mendojnë e komunikojnë.
Nëse lexon pak, dëgjon pak gjuhë të pasur dhe konsumon pafund përmbajtje të shkurtër e banale, si presim që të kuptojë një tekst kompleks, të pasurojë fjalorin apo të ndërtojë një argument?
Dhe ndërkohë, përmbajtja e bisedave, ky krim i pashoq kulturor:
“Ish e vogël, e trashë, e hollë…”
“Sa e ka rrogën?”
“Çfarë veture ka?”
Kështu, pa e kuptuar, fëmijës i mësojmë se pamja, paratë, statusi dhe spektakli vlejnë më shumë se dija.
Mund të shpenzojmë mijëra euro për një dasmë.
Por kur fëmija kërkon një mundësi serioze arsimimi jashtë vendit:”Shumë shtrenjtë.”
Prioritetet, pra, janë të qarta.
Edhe mirësjellja është bërë relativisht opsionale.
Si flasim me policin. Si flasim me mjekun. Si flasim me zyrtarin. Si flasim me punonjësin e shërbimit ndaj klientit. Ende ka siklet në përdorimin e shprehjeve “më fal”, “të lutem”.
Dhe pastaj: “Jemi në Kosovë, krejt kështu bëjnë.”
Jo.
Fëmijët nuk mësojnë vetëm nga ajo që u themi.
Mësojnë nga ajo që ne e normalizojmë.
Dhe nëse normalizojmë mediokritetin, mosrespektin, vulgaritetin, mungesën e leximit, mungesën e kuriozitetit dhe glorifikimin e dukjes…atëherë nuk duhet të habitemi kur një test na e tregon faturën.
PISA nuk është problemi.
PISA është vetëm momenti kur na detyrohet ta shohim problemin në pasqyrë.
Dhe ndoshta pyetja nuk është: “Pse fëmijët tanë dolën keq në PISA?”

Autorja është Psikologe Shkollore