Nga Rexhep Veliu: Sistemi arsimor po përjeton një krizë të thellë ekzistenciale



nder titull

- Advertisement5 -

Transformimi i Hovshëm i Paradigmës Arsimore: Nga Mësimdhënia me Mësuesin në qendër drejt Mësimdhënies me Nxënësin në Qendër në Epokën e Inteligjencës Artificiale

- paragrafi 1 -

„Do not send your students on a bus ride, send them on a bike ride trip.“
(„Mos i dërgoni nxënësit tuaj në një udhëtim me autobus, dërgojini ata në një udhëtim me biçikletë“)

- Advertisement - M1

Sistemi arsimor bashkëkohor po përjeton një krizë të thellë ekzistenciale, e shkaktuar nga humbja e monopolit mbi informacionin. Historikisht, arsimi funksiononte mbi paradigmën e “transferimit të njohurisë” (transmittal model), duke u bazuar plotësisht në modelin e mësimdhënies me mësuesin në qendër. Në këtë strukturë, mësuesi vlerësohej si burimi ekskluziv i dijenisë, nxënësi si një marrës pasiv dhe provimi si mjeti i vetëm legjitimues i këtij procesi. Kjo strukturë vertikale reflektonte një mjedis me qasje fort të kufizuar ndaj informacionit, ku tekstet shkollore, bibliotekat dhe të rriturit e trajnuar kontrollonin dijen.
Sot, përhapja e Inteligjencës Artificiale (IA) po e zhvlerëson këtë model linear. Ky artikull reflektiv synon të analizojë sesi thyerja e autoritetit tradicional të mësuesit dhe ndryshimi i profilit kognitiv të nxënësit kërkojnë një kalim të menjëhershëm drejt mësimdhënies me nxënësin në qendër, duke u mbështetur në teoritë e konstruktivizmit dhe ridizajnimin e roleve në klasë.
Kur një mjet i IA-së mund të shpjegojë figurat stilistike apo të përmbledhë një roman para se mësuesi përfundon së shkruari temën në tabelë, modeli i përqendruar te mësuesi pëson erozion. Sipas teorisë së Konstruktivizmit Social të Lev Vygotsky (1978), dituria nuk është një objekt që transferohet dhe absorbohet në mënyrë mekanike, por një strukturë që ndërtohet në mënyrë aktive nga vetë nxënësi përmes ndërveprimit kritik.
Në këtë mjedis të ri, makinat po marrin rolin e asaj që Vygotsky e quante “Dikush më i Ditur” (More Knowledgeable Other – MKO), duke ofruar shpejtësi, saktësi gjuhësore dhe personalizim të menjëhershëm. Përpjekja e disa mësuesve për të ndaluar pajisjet dështon, sepse thjesht e zhvendos sjelljen e nxënësve në fshehtësi. Ky mekanizëm mohimi injoron realitetin kognitiv dhe krijon një hendek mosbesimi në klasë, duke tentuar të mbajë gjallë një autoritet artificial.

2. Tranzicioni i Rolit: Nga „Sage on the Stage“ në „Guide on the Side“

Përballë kësaj krizë, pedagogjia moderne kërkon një ndryshim rrënjësor në identitetin profesional të mësuesit, duke zëvendësuar konceptin e mësuesit si burim i vetëm i dijes me atë të mësuesit si lehtësues. Siç ka argumentuar profesorja Alison King (1993) në punimin e saj seminal, arsimi i shekullit të XXI kërkon kalimin nga modeli i “mendimtarit të dijshem në skenë” (sage on the stage) – që përfaqëson qasjen me mësuesin në qendër – te modeli i “udhërrëfyesit përkrah nxënësit” (guide on the side), që përbën thelbin e qasjes me nxënësin në qendër.
Kur arsimi bazohet te mësuesi në qendër, supozohet se thjesht duke ligjëruar mbi strukturën e një teksti apo biografinë e një autori, njohuria do të absorbohet automatikisht. Por në epokën e IA-së, ky rol bëhet i tepërt. Mësuesi duhet të zbresë nga “skena” e autoritetit absolut dhe të pozicionohet “në krah” të nxënësit. Roli i tij i ri nuk është të japë përmbledhje të gatshme të veprave, por të lehtësojë ndërveprimin kritik metainformacional të vetë nxënësit.

- Advertisement - m2

3. Ridizajnimi Profesional: Mësuesi si arkitekt i përvojave të të nxënit

Në modelin e mësimdhënies me nxënësin në qendër, mësuesi merr një profil kompleks: ai bëhet udhëzues, ndërmjetësues, projektues i përvojave të të nxënit dhe krijues i situatave problemore. Kjo qasje përshtatet plotësisht me metaforën e udhëtimit me biçikletë: nëse modeli tradicional i arsimit e trajtonte nxënësin si një pasagjer pasiv në autobus që thjesht shikon nga dritarja pa kontrolluar drejtimin, pedagogjia e re kërkon që nxënësi të marrë timonin, të pedalojë aktivisht dhe të navigojë vetë.
Mësuesi, si ekspert, nuk e nget mjetin për ta, por udhëzon nxënësit si të mësojnë(metanjohuria) dhe i vë ata në situata reale të të nxënit. Ai krijon një mjedis ku nxënësi është i detyruar të marrë përgjegjësi për atë që mëson, duke u angazhuar në procese të nivelit të lartë kognitiv (sipas Taksonomisë së Bloom-it): të prezantojë, të arsyetojë, të krahasojë, të argumentojë dhe të bashkëpunojë.

4. Iluzioni i Planifikimit Teknik dhe Sfidat e Vëmendjes Algoritmike

Teksti i analizuar saktëson se modeli tradicional mbështetej te besimi se një shënim mësimi i strukturuar mirë (objektivat, prezantimi, detyrat) garantonte suksesin. Ky model mekanik supozon gabimisht një homogjenitet kognitiv, duke harruar që nxënësit e sotëm vijnë mediatikisht me modele të ndryshme vëmendjeje, aftësi gjuhësore, përvoja dixhitale dhe nevoja emocionale.
Nga pikëpamja e Teorisë së Ngarkesës Kognitive (Sweller, 2011), nxënësit sot janë të mbingarkuar nga përmbajtje të projektuara nga algoritmet për të kapur vëmendjen brenda sekondave. Kur mësuesit fokusohen vetëm te plotësimi teknik i kurrikulës (“mbulimi i materialit”), ndodh një paradoks arsimor: mësimi është teknikisht i plotë, por në aspektin arsimor i dobët. Mësuesi mbulon çdo njësi, por nxënësit mbajnë mend shumë pak, sepse informacioni nuk ka kaluar në kujtesën afatgjatë përmes përpunimit të thellë e kritik që sjellin situatat reale të modeluara rreth nxënësit.
Për të adresuar këtë, mësuesi përdor “Skeletizimin Digjital” (Digital Scaffolding). Siç shpjegon Jerome Bruner (1976) në zgjerimin e teorisë së Vygotskit, mësuesi ofron mbështetje të përkohshme (skele) që e ndihmojnë nxënësin të lundrojë nëpër kompleksitetin e informacionit të ofruar nga IA, duke e tërhequr këtë mbështetje gradualisht derisa nxënësi të arrijë autonominë, zotërimin e plotë dhe përgjegjësinë kognitive në analizën gjuhësore.

III. Përfundimi: Drejt një Pedagogjie Transformuese

Kjo krizë e modelit tradicional nuk përfaqëson fundin e arsimit, por një ftesë për evolucion të detyrueshëm drejt mësimdhënies me nxënësin në qendër. Pasi makinat kanë marrë përsipër efikasitetin e transmetimit të fakteve dhe përmbledhjeve tekstuale, vlera e vërtetë e mësuesit njerëzor zhvendoset te dizenjimi i situatave reale ku sfidohet intelekti dhe analiza e thellë e nxënësit.
Mësuesi i epokës digjitale nuk mund të konkurrojë më me memorien ose shpejtësinë e një makine. Suksesi i tij qëndron në aftësinë për të qenë një mentor që e transformon klasën nga një sallë dëgjimi pasiv (një udhëtim monoton me autobus nën modelin e mësuesit në qendër) në një laborator të mendimit kritik, ku nxënësit mësojnë si të argumentojnë, të bashkëpunojnë, të krahasojnë dhe të marrin përgjegjësi për udhëtimin e tyre intelektual mbi biçikletën e dijes.