Nga Rexhep Veliu: Ora e kujdestarisë – një domosdoshmëri për menaxhimin e mirëfilltë të klasës



nder titull

- Advertisement5 -

“… as ora e mësimit, as koha e pushimit dhe as telefonatat e vonshme nuk e zëvendësojnë hapësiren e planifikuar për kujdestarinë”.

- paragrafi 1 -

Gjatë viteve të punës si mësues dhe kujdestar klase, shpesh jam gjendur përballë një situate që fillimisht mund të dukej e zakonshme, por që me kalimin e kohës më është shfaqur si një problem i rëndësishëm i organizimit të jetës së shkollës: çështjet e kujdestarisë kanë hyrë po thuaj thvazhdimisht në orën e rregullt të mësimit.

- Advertisement - M1

Në orën e gjuhës angleze më është dashur të merrem me mungesat e nxënësve, të zhvilloj biseda rreth një problemi të caktuar, të ndërhyj në zënka e mospajtime, të trajtoj raste të bullizmit, të diskutoj rënien e suksesit të një nxënësi apo të merrem me çështje për të cilat prindi ka ardhur në shkollë. Nuk kanë qenë raste të izoluara. Të njëjtën përvojë e kam parë edhe te kolegët brenda shkollës dhe, në biseda profesionale, kam dëgjuar të njëjtin shqetësim edhe nga mësues të shkollave të tjera. Kjo më ka bërë të mendoj se problemi nuk qëndron thjesht te menaxhimi individual i kohës së mësuesit. Problemi është se,për një përgjegjësi reale nuk është siguruar një hapësirë reale.

Në mungesë të një ore të veçantë të kujdestarisë, çështjet nuk zhduken. Ato vazhdojnë të vijnë, madje me masë të shtuar, dhe duhet të trajtohen diku. Një mungesë duhet shqyrtuar, një konflikt duhet sqaruar, një shqetësim duhet dëgjuar, një prind duhet informuar, një rënie e rezultateve duhet kuptuar. Në praktikë, koha merret aty ku gjendet: nga ora e rregullt e mësimit, nga pushimi i gjatë ose, më vonë, nga koha “ e lire”personale e mësuesit përmes telefonatave dhe bisedave me prindërit. Populli e përshkruan një situatë të tillë me një shprehje që e kam kujtuar shpesh: kur një mungesë mbulohet duke i marrë diçka një pune tjetër, në fund vetëm e kemi zhvendosur problemin. Koha nuk krijohet; ajo vetëm transferohet. Dhe kur kujdestaria merr kohën e një ore tjetër mësimore, atëherë kostoja nuk është vetëm e mësuesit. E paguan edhe nxënësi, sepse koha e tij për të nxënë është përdorur për një përgjegjësi tjetër të shkollës.

Më kujtohen edhe reagimet spontane të nxënësve: “Aaaaa, kujdestar, na shkoi ora e anglishtes!” Në atë fjali kishte më shumë se një ankesë fëmijësh për një orë që po kalonte. Nxënësit, në mënyrën e tyre të drejtpërdrejtë, po identifikonin një problem real: ora e caktuar për të nxënët e gjuhës angleze po përdorej për të trajtuar çështje që i përkisnin kujdestarisë. Dhe ata kishin të drejtë ta vërenin këtë. Sepse një problem i mungesave mund të kërkojë më shumë se disa minuta; një konflikt mes nxënësve nuk zgjidhet gjithmonë me një qortim; një rast bullizmi kërkon dëgjim, kujdes dhe ndjekje; ndërsa rënia e suksesit të një nxënësi mund të ketë shkaqe që nuk shihen në një notë. Edhe biseda me prindin, qoftë në shkollë apo përmes telefonit pas përfundimit të punës, mund të jetë e dobishme, por jo gjithmonë krijon hapësirën e nevojshme për një diskutim të qetë dhe të plotë. Përvoja ka treguar se as ora e mësimit, as pushimi dhe as telefonata e vonshme nuk e zëvendësojnë një hapësirë të planifikuar për kujdestarinë. Çështjet që kërkojnë dëgjim, dialog dhe reflektim meritojnë kohën e tyre.

- Advertisement - m2

Prandaj, sot e shoh më qartë se mungesa e orës së veçantë të kujdestarisë nuk është thjesht mungesë e një ore në orar. Ajo krijon një zhvendosje të përgjegjësisë dhe të kostos: nga koha institucionale te ora e mësimit, nga ora e mësimit te pushimi dhe, në fund, te koha personale e mësuesit. Në të njëjtën kohë, kujdestarit i kërkohet të njohë nxënësit, të ndjekë përparimin e tyre, të komunikojë me familjet, të ndërmjetësojë në konflikte, të mbështesë mirëqenien e tyre dhe të kontribuojë në formimin e karakterit. Nëse këto janë pjesë e përgjegjësisë profesionale, atëherë duhet të kenë edhe kohën e tyre të institucionalizuar. Për këtë arsye, mendoj se rikthimi i orëve të veçanta të kujdestarisë — një ose dy herë në javë, sipas nivelit dhe nevojave të klasës — do të ishte jo një privilegj për mësuesin, por një investim në cilësinë e jetës së klasës dhe në mbrojtjen e kohës së të nxënit të rezultateve. Po ashtu, nëse kujdestaria kërkohet si përgjegjësi profesionale e veçantë, është e arsyeshme të diskutohet edhe njohja dhe kompensimi i saj. Nuk mund t’i kërkojmë mësuesit të zgjidhë me seriozitet probleme për të cilat nuk i kemi dhënë kohë dhe stimulim të duhur. Ora e kujdestarisë nuk është orë e humbur nga mësimi. Nëse organizohet si duhet, ajo është pikërisht ora që mbron të nxënit nga problemet që padashje detyrohen të hyjnë brenda tij.