“Mësuesi nuk duhet të jetë një profesionist i vetëm brenda një institucioni, por pjesë e një kulture që mëson, mbështet dhe përmirësohet së bashku.”
Pavarësisht përvojës, përgatitjes apo përkushtimit profesional, ekziston një kufi përtej të cilit edhe mësuesi më i përkushtuar ka nevojë për tjetrin. Në arsim, profesionalizmi nuk duhet të kuptohet si aftësi për t’i zgjidhur të gjitha problemet i vetëm, por si gatishmëri për të kërkuar, ndërtuar dhe ndarë njohuri me të tjerët. Refuzimi i bashkëpunimit profesional nuk e forcon domosdoshmërisht mësuesin; përkundrazi, mund ta kufizojë mundësinë e tij për të parë problemin nga një këndvështrim tjetër dhe, rrjedhimisht, të kufizojë edhe mundësitë e nxënësve për të mësuar.
Një mjek nuk përballet me çdo rast klinik i vetëm, por mbështetet në njohuritë dhe përvojën e një ekipi; një sportist nuk e ndërton suksesin vetëm mbi aftësinë individuale, por mbi koordinimin me skuadrën. Atëherë, pse në shkollë ende pranohet kaq lehtë ideja se mësuesi duhet ta zhvillojë profesionin e tij pas një dere të mbyllur? Izolimi i mësuesit nuk është vetëm çështje organizative; në afat më të gjatë, ai mund të shndërrohet në kufizim të të nxënit profesional dhe të cilësisë së arsimit.
Në këtë kuptim, ndërveprimi kolegial nuk duhet të reduktohet në takime administrative, shkëmbim dokumentesh apo përmbushje të një kërkese institucionale. Vlera e tij qëndron te krijimi i një hapësire profesionale ku mësimdhënësit mund të flasin për praktikën reale: për atë që funksionoi, për atë që dështoi, për dilemën që ende nuk e kanë zgjidhur dhe për pyetjet që nuk kanë një përgjigje të gatshme.
Pikërisht këtu merr kuptim Aktivi Profesional. Ai mund të shndërrohet nga një strukturë formale në një komunitet profesional të të nxënit, ku përvoja individuale kthehet në kapital kolektiv. Një mësues mund të thotë: “Nxënësit e mi të klasës X nuk përfshihen në punën me tekstin dhe kanë vështirësi në të kuptuarit e leximit”; një koleg tjetër mund të mos japë një “recetë”, por të ndajë një qasje që ka provuar, kushtet në të cilat ka funksionuar dhe kufizimet që ka vërejtur. Pikërisht ky shkëmbim i thjeshtë mund të hapë një mundësi të re për reflektim dhe eksperimentim profesional. Mësuesit nuk mësojnë vetëm nga sukseset e të tjerëve; ata mësojnë edhe nga gabimet, pasiguritë dhe përpjekjet e dokumentuara të kolegëve.
Megjithatë, bashkëpunimi profesional bëhet i dobishëm vetëm kur mbështetet mbi besimin dhe sigurinë profesionale. Nëse takimi i kolegëve shndërrohet në mekanizëm kontrolli, vlerësimi ose turpërimi, ai e humb pikërisht funksionin që duhet të përmbushë. Vëzhgimi i një ore mësimore nga një koleg, për shembull, nuk duhet të ketë si pyetje kryesore “Çfarë bëri gabim mësuesi?”, por “Çfarë mund të mësojmë nga kjo praktikë?”. Një mësues që ka zhvilluar një qasje efektive mund ta demonstrojë atë jo për të dëshmuar superioritetin e vet, por për t’u dhënë kolegëve mundësinë ta shqyrtojnë, ta përshtatin dhe, nëse është e dobishme, ta përmirësojnë. Në këtë proces mund të kontribuojnë edhe drejtuesi i shkollës, koordinatori i cilësisë, pedagogu, psikologu apo profesionistë të tjerë, në varësi të natyrës së problemit. Por edhe kur prania e tyre nuk është e mundur, mësuesit duhet të kenë një hapësirë të rregullt dhe të besueshme për bashkëpunim. Takimet javore ose dyjavore, diskutimet e rasteve, demonstrimet e praktikave, vizitat kolegiale në klasa dhe reflektimi pas tyre mund të krijojnë një ritëm të qëndrueshëm të të nxënit profesional.
Kjo qasje e zhvendos edhe kuptimin e përgjegjësisë profesionale: nga përgjegjësia individuale për “orën time” drejt përgjegjësisë së përbashkët për të nxënit e nxënësve. Në një shkollë që mëson, Matematikë, Gjuhë Angleze, Shkenca, Edukatë Shoqërore apo çdo fushë tjetër nuk janë ishuj të shkëputur profesionalë. Problemet e të nxënit shpesh kalojnë kufijtë e një lënde dhe kërkojnë perspektiva të shumëfishta. Një vështirësi në të kuptuarit e tekstit, për shembull, nuk është vetëm çështje e mësuesit të gjuhës; ajo mund të ndikojë në të nxënit e shkencave, historisë, matematikës dhe në aftësinë e nxënësit për të punuar në mënyrë të pavarur. Prandaj, bashkëpunimi nuk është thjesht mënyrë për t’ia lehtësuar punën mësuesit; është mënyrë për ta bërë dijen profesionale më të qasshme, për ta shpërndarë barrën e zgjidhjes së problemeve dhe për të krijuar vazhdimësi në përvojën e nxënësit brenda shkollës.
Në fund, çështja nuk është nëse mësuesit kanë nevojë për njëri-tjetrin. Qështja më e rëndësishme është nëse shkolla është organizuar në mënyrë që kjo nevojë profesionale të mund të shndërrohet në forcë. Një shkollë cilësore nuk ndërtohet vetëm nga mësues të mirë, por edhe nga marrëdhëniet profesionale që u mundësojnë atyre të bëhen më të mirë së bashku. Kur mësuesi mund të thotë “nuk po funksionon” pa u turpëruar, kur kolegu përgjigjet “ta provojmë së bashku”, kur një praktikë e suksesshme ndahet pa u kthyer në garë dhe kur vështirësia e një nxënësi bëhet përgjegjësi e përbashkët, atëherë Aktivi Profesional pushon së qeni një strukturë administrative dhe bëhet një hapësirë e vërtetë e zhvillimit profesional. Në një kulturë të tillë, asnjë mësues nuk është i detyruar ta mbajë i vetëm barrën e profesionit dhe asnjë nxënës nuk duhet të mbetet vetëm përballë vështirësisë së të nxënit. Sepse një shkollë që kërkon që nxënësit të mësojnë gjatë gjithë jetës duhet së pari të jetë një shkollë ku edhe mësuesit mësojnë vazhdimisht nga njëri-tjetri. /Albanian Education/