Të edukosh pa dhunë nuk do të thotë ta lësh fëmijën të bëjë çfarë të dojë. Kjo nuk është liri, por neglizhencë. Nga këndvështrimi sociologjik, si dhuna ashtu edhe mungesa e kufijve pengojnë procesin e socializimit, përmes të cilit fëmija mëson normat, vlerat dhe përgjegjësinë për jetën në shoqëri.
Një ditë një prind më pyeti: “Sipas teje, kur fëmija sillet keq ose përdor fjalë të papërshtatshme, ne duhet të heshtim dhe ta lëmë rehat?” Iu përgjigja: “Jo. Heshtja në këtë rast nuk është edukim, por neglizhencë.” Kur i rrituri tërhiqet dhe nuk vendos kufij, fëmija humbet një mundësi të rëndësishme për të mësuar se çdo liri shoqërohet me përgjegjësi.
Familja është institucioni i parë ku fëmija ndërton marrëdhënien me rregullin, respektin dhe autoritetin. Kufijtë janë po aq të domosdoshëm sa dashuria dhe siguria emocionale. Fjalët “po” dhe “jo” nuk shërbejnë për të ndëshkuar apo për të shuar bezdinë e të rriturit, por për t’i treguar fëmijës se ku mbaron një sjellje e pranueshme dhe ku fillon përgjegjësia ndaj vetes dhe të tjerëve.
Nga perspektiva sociologjike, fëmijët nuk mësojnë vetëm nga ajo që u thuhet, por mbi të gjitha nga ajo që shohin. Prindi dhe mësuesi janë modelet kryesore të socializimit. Me mënyrën si flasin, si reagojnë dhe si zgjidhin konfliktet, ata i mësojnë fëmijës se respekti, vetëkontrolli dhe dinjiteti nuk imponohen me frikë, por ndërtohen përmes shembullit.
Një edukim i bazuar në dhunë, fyerje, etiketime ose krahasime rrezikon ta normalizojë dhunën si mënyrë komunikimi. Në të kundërt, një edukim që ndërthur dashurinë me kufijtë e qartë e ndihmon fëmijën të zhvillojë vetëvlerësimin, ndjenjën e përgjegjësisë dhe aftësinë për të respektuar veten dhe të tjerët.
Prindi nuk i mëson fëmijës të mos ofendojë, të mos godasë apo të mos poshtërojë vetëm sepse të tjerët nuk e meritojnë këtë sjellje, por sepse këto janë zgjedhje që pasqyrojnë karakterin dhe vlerat e njeriut. Edukimi nuk synon vetëm të kontrollojë sjelljen, por të formojë një individ që zgjedh të bëjë të mirën edhe kur askush nuk e sheh.
Prandaj, edukimi pa dhunë nuk është mungesë autoriteti. Është një autoritet që mbështetet te respekti, dialogu, përgjegjësia dhe shembulli personal. Pikërisht kështu ndërtohen qytetarë që respektojnë rregullat jo nga frika e ndëshkimit, por sepse i kanë përvetësuar si vlera të tyre.