Dhuna në shkollë nuk përfundon me aktin e dhunshëm. Ajo merr një dimension tjetër kur heshtet, minimizohet ose nuk raportohet.
Nga prizmi psiko-sociologjik, mosraportimi nuk është thjesht mungesë veprimi. Ai mund të krijojë një klimë ku viktima ndihet e pambrojtur, dëshmitarët mësohen të heshtin, ndërsa autori mund të perceptojë mungesën e reagimit si tolerim.
Prandaj, përballë çdo rasti duhet të shtrohen pyetje konkrete:
Çfarë ndodhi? Kush e raportoi? Kush e dokumentoi? Si reagoi drejtoria? A u përfshi psikologu apo pedagogu? A u njoftuan prindërit dhe institucionet përgjegjëse, sipas rastit? Çfarë masash u morën?
Dhe mbi të gjitha:
A u trajtua problemi apo vetëm u mbyll rasti?
Përgjegjësia me e madhe i takon drejtorisë, por ky fenomen është edhe i përbashkët: mësuesit, psikologu, pedagogu, prindërit, drejtoria dhe institucionet arsimore duhet të veprojnë në kuadër të përgjegjësive të tyre.
Nuk ka rëndësi kush e ushtron dhunën — nxënësi ndaj mësuesit apo mësuesi ndaj nxënësit. Parimi duhet të jetë i njëjtë: dhuna duhet të identifikohet, raportohet dhe trajtohet.
Sepse një institucion nuk matet vetëm nga mënyra se si sillet kur gjithçka shkon mirë, por edhe nga mënyra se si reagon kur ndodh diçka e gabuar.
Dhuna e heshtur mund të bëhet dhunë e normalizuar.
Prandaj, heshtja nuk duhet të jetë mënyra jonë e menaxhimit të saj.