Nga Maliq Fetahu: PISA – pasqyra që vazhdon të na shqetësojë



nder titull

- Advertisement5 -

Edhe këtë herë, rezultatet e PISA-s po na tregojnë atë që prej vitesh po mundohemi ta fshehim pas statistikave, konferencave dhe deklaratave optimiste: cilësia e arsimit në Kosovë mbetet një problem serioz që kërkon përgjegjësi, jo arsyetime.

- paragrafi 1 -

PISA nuk është thjesht një test. Është një pasqyrë e sistemit arsimor, e aftësisë së nxënësve për të lexuar me kuptim, për të menduar, për të zgjidhur probleme dhe për ta përdorur dijen në jetën reale. Kur pasqyra nuk na pëlqen, nuk ka kuptim ta fajësojmë pasqyrën.

- Advertisement - M1

Por ku qëndron problemi?

Tepria e burokracisë po e merr kohën dhe energjinë që mësimdhënësi duhet t’ia kushtojë nxënësit. Formularë, raporte, plane, evidenca dhe procedura pa fund – ndërkohë që pyetja kryesore duhet të jetë: çfarë po mëson nxënësi dhe sa po përparon?

Pastaj kemi një plagë tjetër që nuk duhet heshtur: ndërhyrjet politike në arsim. Shkolla nuk duhet të jetë zgjatim i asnjë partie politike. Ajo duhet të jetë hapësirë ku vendos dija, profesionalizmi dhe interesi i fëmijës.

- Advertisement - m2

Dhe këtu vijmë te meritokracia.

Si mund të kërkojmë cilësi nga sistemi, nëse në të gjitha nivelet nuk sigurohemi që njerëzit më të aftë të marrin përgjegjësitë që u takojnë? Nëse përzgjedhja e kuadrove ndikohet nga lidhjet, interesat apo preferencat, atëherë mos të çuditemi kur rezultatet nuk përputhen me deklaratat.

Arsimi nuk mund të ndërtohet me miqësi, favore dhe kalkulime politike.

Duhet të ndërtohet me mësimdhënës të përgatitur, drejtues profesionistë, përzgjedhje të bazuar në meritë, zhvillim të vazhdueshëm profesional, tekste e mjete cilësore dhe, mbi të gjitha, me një sistem që e vendos nxënësin në qendër.

Nuk është e drejtë që çdo herë kur dalin rezultatet e dobëta të kërkojmë fajtorin vetëm te mësimdhënësi apo te nxënësi. Përgjegjësia është sistemike dhe duhet të ndahet nga të gjithë ata që marrin vendime për arsimin.

PISA vjen e shkon.

Rezultatet publikohen e harrohen.

Por nxënësit tanë mbeten këtu.

Ata nuk kanë nevojë për justifikime. Kanë nevojë për një sistem arsimor që funksionon.

Prandaj, ndoshta ka ardhur koha të mos pyesim më vetëm:

“Pse dolëm keq në PISA?”

Por të pyesim më guximshëm:

Kush e ka ndërtuar këtë sistem, kush po e menaxhon dhe a kemi pasur guximin t’i zgjedhim njerëzit për aftësinë e tyre e jo për afërsinë e tyre?

Sepse nëse duam rezultate të tjera, duhet të kemi një mënyrë tjetër të qeverisjes së arsimit.

Fëmijët tanë meritojnë më shumë se kaq.