Në këtë vend, diplomat janë shtuar më shpejt se dija. Titujt akademikë janë bërë të zakonshëm, ndërsa mendimi kritik është bërë i rrallë. Kemi mësuar të numërojmë certifikata, por jo vepra; të lavdërojmë tituj, por jo rezultate.
Në emër të arsimit, shpesh është ndërtuar një fasadë. Pas saj fshihen paaftësia, mediokriteti dhe mungesa e përgjegjësisë. Nuk është çudi që të rinjtë humbin besimin, kur shohin se shpesh nuk ecën përpara ai që di, por ai që ka lidhje.
Diploma është e shenjtë vetëm kur mbështetet mbi dije, punë dhe ndershmëri. Përndryshe, ajo mbetet vetëm një copë letër e varur në mur.
Kosova nuk ka nevojë për inflacion diplomash. Ka nevojë për mësues që frymëzojnë, profesorë që edukojnë, drejtues që udhëheqin me shembull, administratorë që shërbejnë dhe institucione që e vendosin meritën mbi çdo interes tjetër.
Nuk është turp të mos kesh titull të madh. Turp është të kesh tituj të mëdhenj e dije të vogla, të mbash poste pa meritë dhe të kërkosh respekt pa e fituar atë.
Shteti nuk dobësohet nga mungesa e diplomave. Dobësohet kur mungojnë karakteri, profesionalizmi dhe përgjegjësia.
Me diploma plotë e me dije të pakta… na ruaj Zot! Sepse e ardhmja nuk ndërtohet me vula e nënshkrime, por me njerëz që e nderojnë dijen dhe e dëshmojnë atë çdo ditë me punën e tyre.