Nga Maliq Fetahu: Ku po shkojmë me arsimin?



nder titull

- Advertisement5 -

Arsimi nuk është vetëm një ndërtesë me banka, tabela dhe një orar mësimi. Arsimi është themeli mbi të cilin ndërtohet e ardhmja e një shoqërie. Prandaj, kur flasim për të ardhmen e Kosovës, duhet të pyesim seriozisht: Ku po shkojmë me arsimin?

- paragrafi 1 -

Kjo pyetje nuk është retorike. Është një shqetësim që duhet ta ketë çdo prind, çdo mësimdhënës, çdo drejtues shkolle dhe çdo institucion përgjegjës për arsimin.

- Advertisement - M1

Një nga problemet që po bëhet gjithnjë e më shqetësues është mungesa dhe plakja e kuadrit profesional në lëndët shkencore. Shkollat tona rrezikojnë të përballen gjithnjë e më shumë me mungesë të mësimdhënësve të matematikës, fizikës, kimisë dhe biologjisë.

Nëse nuk krijohen politika të qëndrueshme për t’i orientuar të rinjtë drejt këtyre profesioneve, pyetja nuk është vetëm kush do të na mësojë nesër, por kush do t’i përgatisë brezat e ardhshëm për shkencë, teknologji dhe profesionet e së ardhmes?

Kjo çështje bëhet edhe më serioze kur e lidhim me gjendjen e infrastrukturës mësimore.

- Advertisement - m2

Shumë shkolla ende kanë nevojë për kabinete dhe laboratorë funksionalë. Si mund ta duam një nxënës të interesohet për fizikën, kiminë apo biologjinë, nëse këto lëndë zhvillohen kryesisht me teori dhe pa mundësi të mjaftueshme për eksperimente? Shkenca nuk mësohet vetëm duke lexuar definicione. Ajo mësohet duke vëzhguar, provuar, matur, krahasuar dhe nxjerrë përfundime.

Edhe biblioteka shkollore nuk duhet të trajtohet si një hapësirë dytësore. Një shkollë pa bibliotekë të pasur është një shkollë që ia kufizon nxënësit mundësinë për të lexuar përtej tekstit shkollor. Në kohën kur flasim për kulturën e leximit, mendimin kritik dhe kompetencat e shekullit XXI, libri duhet të jetë pjesë e përditshme e jetës së nxënësit.
Po aq e rëndësishme është edhe TIK-u – teknologjia informative dhe komunikimi.

Sot nuk mjafton që një shkollë të ketë disa kompjuterë apo pajisje të shpërndara. Nevojitet infrastrukturë funksionale, internet i qëndrueshëm, pajisje moderne, mirëmbajtje dhe mbi të gjitha përdorim pedagogjik i teknologjisë. Nxënësi i Kosovës nuk duhet të përgatitet vetëm për provimin e radhës; ai duhet të përgatitet për një botë ku teknologjia është pjesë e çdo profesioni.

Këto probleme nuk mund të shihen të ndara nga rezultatet e nxënësve. Të dhënat e PISA-s kanë treguar më herët vështirësi të mëdha të nxënësve të Kosovës në matematikë, shkencë dhe lexim.

Pra, nuk kemi të bëjmë vetëm me problemin e një kabineti që mungon, një biblioteke të varfër apo një kompjuteri që nuk funksionon. Kemi të bëjmë me një sistem të tërë që duhet të mendojë më gjatë për të ardhmen.

Është e rëndësishme të theksohet se edhe Strategjia e Arsimit 2022–2026 e MAShTI-t e ka paraparë nevojën për funksionalizimin e shkollave me kabinete, laboratorë, mjete mësimore dhe biblioteka. Sfida kryesore mbetet që këto objektiva të shndërrohen në realitet në çdo shkollë.

Nuk mund të kërkojmë rezultate të reja me kushte të vjetra.

Nuk mund të kërkojmë nxënës që duan të bëhen shkencëtarë, inxhinierë, mjekë apo profesionistë të teknologjisë, ndërsa shkolla nuk u ofron gjithmonë laboratorin, librin, teknologjinë dhe mësimdhënësin që u nevojitet.

Prandaj, sot duhet të investojmë në tri gjëra themelore:

Në njerëz – duke mbështetur dhe motivuar kuadrin profesional, veçanërisht në lëndët deficitare.

Në shkollë – duke ndërtuar dhe funksionalizuar kabinete, laboratorë dhe biblioteka.
Në teknologji – duke e bërë TIK-un pjesë reale të procesit mësimor, jo vetëm një term në dokumentet strategjike.

Nëse nuk veprojmë me kohë, nesër mund të kemi shkolla me ndërtesa të bukura, por me mungesë të mësimdhënësve të matematikës, fizikës, kimisë dhe biologjisë; me biblioteka të varfra; me laboratorë të papërdorur ose që mungojnë; dhe me teknologji që nuk arrin të përdoret në mënyrë të barabartë.

Arsimi nuk matet vetëm me numrin e shkollave që ndërtojmë. Matet me atë se çfarë mund t’u ofrojmë fëmijëve brenda tyre.

Prandaj pyetja “Ku po shkojmë me arsimin?” duhet të shndërrohet në një thirrje për veprim.

Sepse nëse sot nuk investojmë në mësimdhënës, laboratorë, biblioteka dhe teknologji, nesër nuk do të kemi vetëm mungesë të pajisjeve.

Do të kemi mungesë të mundësive për një brez të tërë.