Viti shkollor ka mbaruar.
Oborret janë boshatisur, korridoret nuk jehojnë më nga zërat e fëmijëve dhe zilja ka pushuar së rëni.
Për shumëkënd kjo do të thotë se shkolla ka mbaruar. Por a mbaron vërtet edukimi me mbylljen e derës së klasës?
Besoj se jo.
Ai vazhdon edhe gjatë verës..në familje, në rrugë, në një udhëtim, në një libër të lexuar, në një lojë me shokët, në një bisedë me gjyshërit apo në një përqafim të sinqertë.
Fëmijët nuk rriten vetëm duke mësuar.
Ata rriten duke parë se si ne flasim, si sillemi, si respektojmë tjetrin, si e mbajmë fjalën dhe si reagojmë përballë vështirësive.
Edukimi është shembulli që japim çdo ditë.
Vera është një mundësi e rrallë.
Është koha kur fëmijët kanë më shumë liri, por edhe më shumë nevojë për praninë tonë.
Jo për ti mbushur me detyra, por për t’u dhënë kohë.
Sepse koha që një prind ose një mësues i kushton një fëmije nuk zëvendësohet nga asnjë teknologji.
Një libër i lexuar bashkë, një shëtitje, një bisedë, një vizitë në muze, një koncert, një ditë në natyrë apo edhe një punë e vogël në shtëpi mund të mësojnë më shumë sesa mendojmë.
Janë këto përvoja që ndërtojnë karakterin.
Edhe për ne mësuesit, vera nuk është vetëm pushim.
Është koha kur reflektojmë për vitin që lamë pas, për nxënësit që na sfiduan, për ata që na bënë krenarë dhe për gjithçka që mund ta bëjmë edhe më mirë në shtator.
Çdo vit shkollor na ndryshon pak edhe ne.
Ta shijojmë verën, por pa harruar se edukimi vazhdon çdo ditë, sa herë një fëmijë sheh tek ne një shembull që ia vlen të ndiqet.
Sepse shkolla mund të mbyllë dyert për disa muaj, por edukimi nuk merr kurrë pushime.