“Rezultatet e PISA-s, nuk mund të jenë arsyeja e mbushjes së prime-ve televizive”
Rezultatet e PISA 2025 për Shqipërinë dhe Kosovën duhet të na shqetësojnë. Por jo për t’i kthyer në një tjetër spektakël televiziv, me deklarata politike, akuza dhe polemika që zgjasin disa ditë e pastaj harrohen. PISA nuk është material për “prime-time”. Është një pasqyrë e sistemit tonë arsimor dhe mbi të gjitha, një thirrje për të vepruar.
Shifrat janë të qarta. Në Shqipëri, 15-vjeçarët morën mesatarisht 435 pikë në shkencë, 433 në matematikë dhe 408 në lexim. Në Kosovë, rezultatet ishin edhe më të ulëta 357 pikë në shkencë, 350 në matematikë dhe 340 në lexim.
Në Kosovë, 73.8% e nxënësve rezultojnë me performancë të ulët në të tria fushat.
Por, problemi më i madh nuk është vetë renditja. Problemi është çfarë po u mësojmë fëmijëve tanë dhe si po i mësojmë ata të mësojnë.
PISA mat jo vetëm nëse nxënësi e di një formulë, një rregull apo një informacion, por nëse di ta përdorë atë që ka mësuar për të zgjidhur një problem real. Pikërisht këtu duhet të ndalemi. Një nxënës mund të ketë memorizuar shumë gjëra dhe përsëri të mos dijë të mendojë, të argumentojë, të lexojë në mënyrë kritike apo të zbatojë njohuritë.
Dhe kjo është një nga pasojat më të rënda të një modeli mësimor që mbështetet shumë te riprodhimi i informacionit: nxënësi mëson për provimin, jo për jetën.
Çfarë duhet të ndryshojë?
Në Shqipëri dhe Kosovë duhet të fillojë një debat serioz për cilësinë e të nxënit, jo vetëm për rezultatet e testeve.
Duhet të mësojmë fëmijët të lexojnë më shumë dhe më thellë; të bëjnë pyetje të argumentojnë të krahasojnë burime të zgjidhin probleme të punojnë në grup dhe të përdorin teknologjinë e inteligjencën artificiale si mjete për të mësuar, jo si mënyra për t’iu shmangur të mësuarit.
Mësuesi duhet të ketë më shumë kohë dhe mbështetje për të mësuar fëmijën si të mendojë, jo vetëm çfarë të mbajë mend. Shkolla duhet të jetë vendi ku nxënësi gabon, provon përsëri, pyet dhe ndërton dijen e vet.
Edhe prindi ka një rol të madh.
Nuk mjafton pyetja: “Sa more në test?”.
Pyetja më e rëndësishme duhet të jetë: “Çfarë mësove dhe a e kuptove?”
Nëse duam që kjo gjeneratë të jetë më e përgatitur se e mëparshmja, duhet t’u mësojmë fëmijëve një aftësi që vlen më shumë se çdo notë, të dinë si të mësojnë.
PISA 2025 nuk duhet të jetë lajm për tri ditë dhe temë për disa prime televizive. Duhet të jetë një alarm për ministritë, shkollat, mësuesit dhe prindërit.
Sepse pas çdo pikë PISA-je nuk është një statistikë.
Është një fëmijë.
Dhe pyetja që duhet t’i bëjmë vetes nuk është vetëm “Në çfarë vendi jemi?” por, “Çfarë po bëjmë sot që fëmijët tanë të jenë më të aftë nesër?”