Planifikimi arsimor gjithnjë e më shumë më ngjan si film fantastiko-shkencor. Shkruajmë me kompetenca evropiane, realizojmë me metoda ndërgalaktike, por në klasë hyjmë me të njëjtin shkumës, të njëjtën plagjiaturë dhe të njëjtin hall.
Zbatimi i kurrikulës së përditësuar po sjell sfida të reja për mësuesit dhe drejtuesit e institucioneve arsimore. Edhe pse janë organizuar trajnime dhe janë përgatitur materiale mbështetëse, në shumë shkolla vazhdojnë të evidentohen vështirësi në hartimin e planifikimeve vjetore dhe të planeve të periudhës.
Fillimi i vitit shkollor nuk shënon më rikthimin e përkushtimit ndaj nxënësit, por rikthimin e tregut të zi të letrave. Mësues që vrapojnë grupeve të Facebook-ut e WhatsApp-it për të blerë me “lekë në dorë” plane vjetore e periudhe të gatshme, të qepura me copy-paste nga dikush që ka kopjuar dikë tjetër.
E si mund të ndodhte ndryshe, kur me ristrukturimin e fundit të Zyrave Vendore të Arsimit Parauniversitar (ZVAP) u vulos përfundimisht kapitulllimi pa kushte i mbështetjes kurrikulare dhe i zhvillimit profesional? Sistemi ka krijuar një kryevepër të surrealizmit burokratik.
Një ZVAP e tërë, që mbulon disa shkolla e qindra mësues, ka shpesh vetëm një specialist i kurrikulës. Dhe qershia mbi tortë? Në jo pak raste, ky “guru” i madh që supozohet të udhëheqë metodologjinë, me gjasë mban në xhep vetëm një diplomë Bachelor ose pa lidhje me arsimin. Po, e lexuat mirë! Një specialist me tre vite shkollë pas gjimnazit, me diplomë të fushave pa lidhje me pedagogjinë kurrikulën dhe procesin mësimor supozohet të mentorojë e të “trajnojë” mësues me dekada përvojë dhe me diploma Masteri Shkencor, provim shteti, Portali, periudhë prove, kualifikim të tretë, të dytë dhe të parë. Ky nuk është më thjesht dështim, është një parodi administrative ku i verbëri është caktuar të udhëheqë të parin!
Në këto kushte, si pritet të zbatohet një kurrikul e përditësuar kur strategjia e trajnimit mbështetet mbi një strukturë të tillë skeletike? Modeli dështak “kaskadë” trajnimesh merr trajtën e një loje tragjikomike. Trajnohet një mësues (i përzgjedhur), ky supozohet të bëhet “orakull” i shkollës, e në fund përcjellja e dijeve/informacioneve përfundon si loja e telefonit të prishur. Kur vjen puna te skaji më i largët i vendit, “kaskada” thjesht është tharë rrugës. Aty reforma nuk arrin e shohim vetëm nëpërmjet facebook-ut apo mesazhit në grup.
Ndërkohë, sistemi mjaftohet me ritualin e tij të preferuar: check-box-in. Mjafton të shënohet në letër “U krye!” dhe letra të ketë vulën e duhur, që të gjithë të flenë të qetë. Por a u krye vërtet? A u kuptua? A u praktikua? Nuk ka rëndësi, për sa kohë dosja është plot! Ndryshojmë udhëzimet programet, manualet, rregulloret, urdhrat, hedhim teza të reja, e pastaj i lëmë mësuesit të vetëm në mëshirë të fatit, duke pritur që mrekullia e kompetencave të ndodhë vetvetiu nga një i vetëm specialist Bachelor i mbyllur në zyrat e ZVAP-it (i dini besoj sa detyra ka, nuk po rri ti numëroj se duhet një shkrim tjetër) dhe kaskada e famshme.
Kjo mendësi duhet të marrë fund sa më parë. Nëse dëshirojmë arsim dhe jo fasadë letrash është urgjente që politika arsimore të reflektojë në strategjinë e radhës me disa pika tokësore për këtë çështjen e planifikimit që po i listoj më poshtë me shpresë se po i lexon dhe reagon dikush.
Ristrukturim me mend në kokë i DRAP/ZVAP-ve. Mbështetja kurrikulare nuk mund të mbetet në dorën e një personi të vetëm apo të personave pa kualifikimin e duhur shkencor e pedagogjik. ZVAP-et kryesisht duhet të kenë ekipe të mirëfillta mentorimi me përvojë reale në mësimdhënie.
Të sjellim në shkolla modele konkrete, jo leksione. Mësuesit nuk kanë nevojë për orë të tëra teorie mbi “qasjen me kompetenca”, por për shembuj real, të zbërthyer e të prekshëm për çdo lëndë.
Të zhvillohen trajnime reale në territor, jo fasadë “kaskadë”. Çdo mësues, nga qendra e kryeqytetit e deri te shkolla më e largët e fshatit, ka nevojë për asistencë të drejtpërdrejtë, trajnim praktik dhe mentorim të vazhdueshëm, jo për mbledhje formale sa për të firmosur listat e pjesëmarrjes.
Ti jepet fund tregtisë së planeve të gatshme. Planifikimi nuk është dënim administrativ që blihet me lekë në dorë te kolegu, por harta e rrugëtimit të nxënësit. Po u ble harta e gatshme, udhëtimi në klasë nuk e gjen dot rrugën se ajo harta ishte planifikuar për rrugë tjetër, kontekst tjetër…
Të kalojmë nga kontrolli i letrës te vlerësimi i procesit. Drejtuesit e shkollave duhet të pushojnë së qeni “inspektorë dosjesh” dhe të bëhen udhëheqës pedagogjikë që mbështesin zhvillimin e mësuesit në klasë.
Nuk mund të kërkojmë mendim kritik nga nxënësit, kur sistemi e ka katandisur mësuesin në një blerës pasiv të letrave të gatshme dhe ZVAP-in në një zyrë thjesht letërkëmbimi.
Sepse, siç thotë ajo e vërteta e vjetër: kur dështon të përgatitesh, je duke u përgatitur për dështim, e në arsimin tonë, kush harron të planifikojë ardhmen, ka planifikuar me sukses vetëm rrënimin e saj. Është koha të ndalet njëherë e mirë teatri i “U krye”-së dhe të ofrohet mbështetje reale në çdo klasë, përpara se ky dështim i planifikuar të bëhet faturë e rëndë që do ta paguajnë brezat.