Nga Fiqiri Çifliku: Shifrat flasin – deri në 60% më pak kandidatë për mësues në disa profile në Tiranë



nder titull

- Advertisement5 -

Portali “Mësues për Shqipërinë” u mendua si një mekanizëm i drejtësisë, meritës dhe garantimi i shanseve të barabarta për të gjithë kandidatët.

- paragrafi 1 -

U ngrit si një hapësirë ku transparenca dhe barazia do të garantonin që çdo mësues të kishte mundësinë të konkurrojë në mënyrë të ndershme dhe pa u kufizuar në mënyrë artificiale.

- Advertisement - M1

Ky parim është i sanksionuar në Kreun I, pika 3 të udhëzimit Nr. 8, datë 3.5.2024, “Për procedurat e pranimit, të pezullimit dhe të largimit të mësuesit nga një vend pune, si dhe administrimit të portalit “Mësues për Shqipërinë”, i ndryshuar, dhe përfaqëson themelin e një sistemi arsimor të drejtë e të hapur. Por ndryshimi që u bë me Udhëzimin Nr. 4, datë 26.2.2026, e kufizon aplikimin e mësuesve vetëm në DRAP-in e vendbanimit të përhershëm.

Në udhëzim është shtuar pika 5, e cila përcakton se kandidati aplikon vetëm në DRAP-in e vendbanimit të përhershëm dhe mund të zgjedhë deri në tri ZVAP brenda këtij territori. Ky ndryshim, në dukje teknik, cenon parimin e shanseve të barabarta, pasi kufizon lëvizjen e lirë të mësuesve drejt zonave ku ka më shumë kërkesë, si Tirana, por ka sjellë një pasojë të dukshme: rënie të ndjeshme të numrit të kandidatëve për punësim në DRAP Tiranë.

Në pamje të parë shohim një rënie në numrin e përgjithshëm të aplikantëve nga 12.180 në vitin 2025 në 11.277 kandidatë të kualifikuar në vitin 2026, pra një rënien me mbi 9%, që me shumë gjasa janë kandidatë që kanë vitin e kaluar kanë aplikuar për ZVAP jashtë DRAP-it ku kanë vendbanimin (se disa e kanë ndryshuar në mënyrë fiktive për të aplikuar).

- Advertisement - m2

Këtë shqetësim e kisha ngritur që në momentin e miratimit të këtij udhëzimi në fillim të vitit 2026, por pasojat praktike si reduktim i kandidatëve potencial, mbulimi i vendet vakante, punësime jashtë portalit dalin në sipërfaqe dhe janë të verifikueshme sot që kemi shifrat konkrete të shpallura publikisht nga institucionet.

Nga të dhënat, rezulton një ulje me rreth 38–40% të forcës së gatshme të mësuesve

krahasuar me vitin e kaluar për të gjitha profilet. Kështu nga 5688 mësues të listuar në Portalin 2025, sipas listave përfundimtare të cilave u jam referuar kemi 3366 kandidatë. Pra bëhet fjalë për një rënie të frikshme me gati 37 % të mësuesve të gatshëm të punojnë në DRAP Tiranë.

Arsimi Fillor që zë pjesën më të madhe sistemit, ka rënien më të lartë me 60% e kandidatëve, (kishte 642 kandidatë në vitin 2025, ka 255 kandidatë në 2026 ose 40%). Kjo rrezikon të lërë klasa pa mësues, sidomos në zonat periferike ku ka klasa kolektive.

Arsimi Special gjithashtu nga 198 kandidatë vitin e kaluar ka 141 për këtë vit, rezulton me një rënie prej gati 30 % duke e bërë pothuajse të pamundur mbulimin e nevojave të fëmijëve me aftësi të kufizuara me mësues të këtij profili për shkak edhe të numrit të lartë të kërkesave ndër vite.

Lëndët e shkencave të natyrës kanë rënie të ngjashme, duke rrezikuar cilësinë e arsimit në gjimnazet e Tiranës dhe rrethinave, kështu Matematika nga 475 kandidatë në 2025 sot ka 215 ose 55 % kandidatë me pak, Fizika nga 161 këtë vit ka 107 kandidatë ose 34 % më pak, Kimia nga 163 ka 90 ose 43 % më pak dhe Biologjia nga 332 ka vetëm 182 kandidatë ose gati 45% më pak. Gjuhët e huaja vendosin në evidencë rënien e kandidatëve në profilin e anglishtes me 40 % më pak që rrezikon të kufizojë përgatitjen e nxënësve për kompetenca ndërkombëtare.

Pra sipas këtyre shifrave rrezikojmë të kemi të paplotësuara vendet vakante, sidomos ato me kontrata afatshkurtra në zonat rurale apo ato rreth Tiranës. Le të mbajmë në konsideratë se në vitin e kaluar, rreth 20% e punësimeve në ZVAP Tiranë janë kryer me kandidatë jashtë portalit, duke minuar besueshmërinë e sistemit.

Kjo e bën të cenueshëm sistemi arsimor dhe ka kosto sociale të lartë. Në vend që të parandalojmë problemet, sistemi detyrohet t’i “mjekojë” me zgjidhje të përkohshme, duke rritur kostot dhe pasigurinë në arsim.

Nëse arsimi është një pasqyrë e shoqërisë, atëherë kjo rënie është pasqyra e një sistemi që po humbet besimin tek vetvetja. Kur mësuesit pengohen të konkurrojnë aty ku ka nevojë reale për ta, nuk kemi thjesht mungesë të burimeve njerëzore, por një mungesë të drejtësisë. Arsimi nuk është thjesht shërbim publik; është një kontratë morale mes shtetit dhe qytetarit. Kur kjo kontratë thyhet, pasojat nuk maten vetëm me statistika, por me breza të tërë që rriten pa mbështetjen e duhur.

Nëse Ministria e Arsimit nuk rishikon këtë politikë, rrezikon të përballet me një krizë të parashikueshme të mungesës së mësuesve, ulje të cilësisë dhe rritje të pabarazisë edhe në Tiranë. Sigurisht qëllimi ka qenë i mirë, të pengojmë mësuesit të synojnë Tiranën duke i mbajtur nëpër rrethe, por zgjidhja nuk është kufizimi, është hapja e mundësive dhe mbështetje që mësuesit të zgjedhin të shkojnë me dëshirë në çdo shkollë dhe respektimi i meritës. Arsimi nuk duhet të “qajë” që më pas ne t’i japim “për të pirë”; ai duhet të parandalojë, të ndërtojë dhe të frymëzojë. Vetëm kështu mund të ruajmë ekuilibrin e një sistemi që është themeli i shoqërisë sonë.