Kur shkelja e sigurisë juridike dhe e të drejtave të punonjësve të arsimit vjen jo vetëm nga akte të miratuar por edhe për mosnjohje dhe mosrespektim të akteve në fuqi. Po përmend udhëzimin Nr. 2/2008 “Për vjetërsinë e punës në Arsim”, firmosur nga Genc Pollo. Ohu, do të thonë disa, ai udhëzim ka 20 vite, është i kohës së “baba Qemos”
Prapambetja administrative dhe interpretimet arbitrare të zyrave vendore arsimore po krijojnë një precedent negativ në dëm të mësuesve dhe specialistëve të arsimit. Aludimet e fundit se periudhat e punës në institucione si Ministria e Arsimit, Drejtoritë Rajonale (sot DRAP/ZVAP) apo Qendrat Kulturore të Fëmijëve nuk duhet të njihen si vjetërsi pune në arsim, jo vetëm që bien ndesh me kuadrin normativ në fuqi, por shkelin drejtpërdrejt parimin kushtetues të barazisë përpara ligjit.
Akteve normative nuk u humbet fuqia juridike me perceptime apo praktika verbale të punonjësve të zyrave arsimore, por vetëm përmes një akti tjetër normativ shfuqizues të nxjerrë nga i njëjti organ ose një organ më i lartë.
Udhëzimi Nr. 2, datë 10.1.2008 “Për vjetërsinë e punës në arsim”, i nxjerrë në mbështetje të Kushtetutës dhe Kodit të Procedurave Administrative, është akt nënligjor në fuqi. Pika 2 e këtij udhëzimi përcakton qartë se njihet si vjetërsi në arsim periudha e punës në MASH, DAR, ZA apo institucione të tjera varësie për punonjësit me diplomë mësuesie që kanë pasur në përshkrimin e punës menaxhimin e burimeve njerëzore dhe të procesit mësimor. Të pretendosh të kundërtën pa një akt shfuqizues do të thotë të kryesh arbitraritet administrativ.
Në momentin kur mbyllen vende pune apo rishikohen strukturat dhe mësuesit i nënshtrohen vlerësimit të dosjeve personale, mosnjohja e këtyre viteve i vendos kandidatët në pozita diskriminuese. Një inspektor, specialist apo drejtues që ka monitoruar kurrikulën dhe udhëhequr procesin mësimor nuk mund të “paralizohet” papritur duke u trajtuar sikur të ketë qenë jashtë sistemit arsimor.
Zbatimi i diferencuar apo mospërfillja e Udhëzimit Nr. 2/2008 nga komisionet e vlerësimit në shkolla apo zyra vendore hap rrugën për dhjetëra ankesa administrative dhe padi gjyqësore. Çdo i dëmtuar nga ky interpretim i gabuar ka të gjithë bazën ligjore për ta fituar të drejtën në rrugë gjyqësore, duke ngarkuar strukturat arsimore me kosto dëmshpërblimi dhe humbje besueshmërie.
Strukturat zbatuese në nivel vendor (Zyrës Vendore të Arsimit Parauniversitar, drejtoritë e shkollave dhe komisionet e vlerësimit të dosjeve) duhet të tregojnë kujdes maksimal dhe strikt në zbatimin e akteve nënligjore në fuqi.
Udhëzimet nuk zbatohen sipas dëshirës apo interpretimeve empirike. Për sa kohë Udhëzimi Nr. 2, datë 10.1.2008 nuk është shfuqizuar zyrtarisht, çdo vendimmarrje që shpërfill përmbajtjen e tij përbën kapërcim të kompetencave administrative dhe cenim të drejtpërdrejtë të të drejtave të fituara të punonjësve të arsimit.