Dua të trajtoj një temë që do ta konsideroja shumë delikate dhe të rrezikshme, nisur nga postimet e shkollave në rrjetat sociale, të fotove të fëmijëve që po marrin librat apo paraqiten në shkolla e kopshte këto ditët e para të fillim vitit.
Por, me shumë gjasa do shtohen e do bëhen det, ditën e parë të shkollës e më tej. Kujdes, se përveç ndërgjegjes ka një anë tjetër ligjore të cilën po e cenoni, ndoshta pa vetëdije…
Në epokën e inteligjencës artificiale dhe të rrjeteve sociale, siguria e fëmijëve në internet është bërë një nga sfidat më të mëdha për familjen, shkollën dhe shoqërinë.
Publikimi i fotografive, videove dhe të dhënave personale të nxënësve në internet, qoftë edhe me qëllime promovuese, përbën një çështje serioze që kërkon përgjegjësi dhe vetëdije.
Sa lehtë po e japim identitetin e një fëmije? Sa lirë po e shesim privatësinë dhe fytyrën e të vegjëlve tanë për pak promovim ekonomik, social apo politik? Një foto e publikuar sot mund të qarkullojë pafundësisht në internet, të përdoret nga persona të panjohur, të manipulohet me mjete të inteligjencës artificiale ose të shërbejë si burim për sulme online sot dhe sulme fizike nesër ndaj fëmijëve tanë.
Fëmijët nuk janë mjete marketingu dhe as instrumente promovimi. Të drejtat e tyre për privatësi, siguri dhe mbrojtje duhet të jenë mbi çdo interes tjetër. Prandaj, mësuesit, drejtorët e shkollave, administratorët, mediat dhe vetë prindërit duhet të reflektojnë seriozisht mbi pasojat që mund të sjellë publikimi i pakontrolluar i imazheve dhe të dhënave të fëmijëve.
Shpesh rrezikun ua krijojmë vetë fëmijëve tanë, pa vetëdije. Ajo që sot duket si një postim i pafajshëm mund të kthehet nesër në problem për identitetin, reputacionin dhe sigurinë e tyre.
Për këtë arsye, është e domosdoshme që shteti dhe institucionet përgjegjëse të hartojnë dhe të zbatojnë rregullore të qarta, të kuptueshme dhe të detyrueshme për mbrojtjen e të dhënave personale të fëmijëve. Duhet të përcaktohen standarde të sakta për publikimin e fotografive dhe materialeve digjitale, si dhe përgjegjësi konkrete për çdo institucion apo individ që i shpërndan ato.
Mbrojtja e fëmijëve në internet nuk është vetëm detyrim ligjor. Është detyrim moral, edukativ dhe shoqëror. E ardhmja e tyre vlen më shumë se çdo promovim i përkohshëm. Nëse nuk veprojmë sot me përgjegjësi, nesër mund të jetë vonë për të korrigjuar pasojat.
Si mik, si profesionist i fushës, si qytetar dhe si koleg i juaji, ju lutem të ndalemi një çast dhe të reflektojmë.
Mos i hidhni fëmijët në flakët e një zjarri që nuk arrijmë ta kontrollojmë, sepse ai tashmë është përtej fuqive tona. Interneti nuk harron, teknologjia nuk kthen pas kohën dhe pasojat mund t’i shoqërojnë fëmijët për gjithë jetën.
Le të jemi ne mburoja e tyre dhe jo, pa dashje, burimi i rrezikut të tyre.
Fëmijët meritojnë mbrojtje, jo ekspozim.
Meritojnë siguri, jo rrezik. Meritojnë të ardhme, jo pasoja.
Me pak vëmendje e përgjegjshmëri mund t’i shmangim.