“Njeriu lind i lirë, por kudo gjendet i lidhur me zinxhirë.” Jean-Jacques Rousseau
Sikur e ka thënë për mësuesin, ndërkohë që komunikimi për ta po kthehet në detyrim dhe privatësia në luks.
Prej disa kohësh po krijohet një praktikë që po konsiderohet si normale në shumë shkolla: hapja e grupeve në WhatsApp mes mësuesve dhe prindërve. Madje, në disa raste kjo paraqitet pothuajse si një detyrim moral, në mos institucional. A ekziston vërtet një detyrim ligjor që mësuesi të hapë një grup WhatsApp dhe të vendosë në dispozicion numrin e tij personal për një komunitet të tërë prindërish dhe jo vetëm?
Nga sa parashikohet në aktet dhe praktikat zyrtare të sistemit arsimor, (të paktën aq sa di unë) kërkohet dhe inkurajohet bashkëpunimi e komunikimi mes shkollës dhe prindërve, por jo domosdoshmërisht përmes numrit personal të mësuesit apo grupeve në rrjete sociale.
Ministria e Arsimit ka theksuar rëndësinë e kanaleve institucionale të komunikimit, si takimet me prindërit dhe së fundi edhe instrumente të dedikuara si Fletorja e Komunikimit Digjital.
Këtu lind kontradikta.
Nga njëra anë, sistemi arsimor po forcon masat për kufizimin e përdorimit të telefonave celularë në shkolla, duke argumentuar se teknologjia sjell shpërqendrim, varësi dhe dobësim të marrëdhënieve reale. Ministria ka shpallur qartë se komunikimi për rastet urgjente mund të realizohet përmes shkollës, mësuesit ose drejtorisë, sipas procedurave përkatëse.
Nga ana tjetër, shumë mësues ndihen të detyruar nga drejtuesit e institucioneve të jenë të disponueshëm në WhatsApp gjatë gjithë ditës, shpesh edhe jashtë orarit të punës. Sikur të mos mjaftoj kjo duhet të bëjnë pjesë të grupeve që krijojnë edhe nëndrejtorët, koordinatorët e besuar apo vetë drejtorin. Thonë se në disa raste do fusin edhe Ministren, me të dëgjuar e kam…
A nuk është kjo një politikë me dy standarde?
Nëse telefoni konsiderohet pengesë për procesin edukativ brenda shkollës, pse po kthehet në instrumentin kryesor të komunikimit jashtë saj?
Mësuesi është profesionist, por mbetet edhe individ. Ai ka të drejtën e jetës private, të kohës së lirë, të familjes dhe të shkëputjes nga puna pas përfundimit të orarit zyrtar. Numri personal nuk është domosdoshmërisht numër institucional. Ai nuk është tabelë njoftimesh publike. Por edhe një pyetje tjetër meriton përgjigje në këtë rast. Pse institucionet arsimore të mos kenë numra zyrtarë komunikimi apo platforma të dedikuara, ku informacioni të jetë formal, i dokumentuar dhe i aksesueshëm për të gjithë?
Për më tepër, grupet virtuale shpesh krijojnë iluzionin e afërsisë, por jo domosdoshmërisht bashkëpunim më të mirë. Në jo pak raste ato prodhojnë keqkuptime, debate të panevojshme, presion ndaj mësuesit dhe zhvendosje të përgjegjësive nga institucionet tek individi.
Në fund të fundit, prindërit i takojmë çdo ditë. I presim në mëngjes, i përcjellim në drekë, organizojmë takime, konsultime dhe komunikime të drejtpërdrejta. Bashkëpunimi nuk matet me numrin e mesazheve në WhatsApp, por me cilësinë e marrëdhënies mes shkollës dhe familjes.
Ndoshta ka ardhur koha të reflektojmë seriozisht, sepse në një epokë ku gjithçka po bëhet virtuale, arsimi duhet të mbrojë më shumë se kurrë dimensionin njerëzor të komunikimit. Fëmijët kanë nevojë të shohin prindër dhe mësues që flasin me njëri-tjetrin, jo vetëm telefona që njoftojnë njëri-tjetrin. Komunikimi mes prindit dhe shkollës është i domosdoshëm. Por ai nuk duhet të ngatërrohet me cenimin e privatësisë së mësuesit apo me detyrimin për të qenë online 24 orë në dispozicion.
Le ta forcojmë urën mes shkollës dhe familjes, por pa shembur kufijtë e nevojshëm të jetës private dhe dinjitetit profesional. Le të mos lejojmë që mjeti të zëvendësojë marrëdhënien njerëzore. Shkolla ka nevojë për dialog të vërtetë, jo vetëm për grupe WhatsApp.