Gjuha që mësohet mbrapsht e ngatërron “mësimin” me “muranën”.
A ka absurd më të madh se sa vetë institucioni që duhet të mbrojë, pasurojë dhe kultivojë gjuhën shqipe, të jetë i pari që i bie ndesh logjikës së saj më elementare?
Në shkresat zyrtare, strategjitë arsimore dhe udhëzimet administrative të Ministrisë së Arsimit, prej kohësh është bërë normë një togfjalësh që po zë rrënjë pa asnjë filtër kritik: “Pas shkolle”.
Ky është përkthim me sy mbyllur i “after-school” nga anglishtja apo “dopo la scuola” nga italishtja.
Ju do thoni: “nuk na ka mbetur kjo tani, ç’na e lodh kokën kot.” Por, le të ndalemi një moment te logjika e shqipes.
Në perceptimin, traditën dhe fjalorin e gjuhës sonë, shkolla është godina, është institucioni, është hapësira fizike me tulla e llaç. Procesi që zhvillohet brenda saj nuk quhet “shkollë” por quhet mësim. Fëmija nuk thotë “sot bëra tri orë shkollë”, por “bëra tri orë mësim”. Po ashtu, kur mësuesi hyn në klasë, apo i “bërtet” drejtori nuk thotë “filloi shkolla”, por “filloi mësimi”.
Atëherë, çfarë do të thotë saktësisht t’i ofrosh nxënësit një program “pas shkolle”?
Nëse i përmbahemi natyrës së gjuhës shqipe, “pas shkolle” është një përcaktim vetëm e vetëm hapësinor.
“Pas shkolle” do të thotë fizikisht mbrapa godinës, aty ku fëmijët bëjnë ndonjë “zarar” të vogël.
Kur Ministria flet për “aktivitete pas shkolle”, sipas gramatikës sonë, po thotë se po organizon veprimtari prapa murit të pasmë të ndërtesës!
Kjo nuk është thjesht një imtësi pedante gjuhësore. Kjo është simptomë e një plogështie mendore administrative. Në vend që të shfrytëzojë me krenari pasurinë e brendshme të shqipes, duke përdorur me vend e me strukturë togfjalësha plotësisht natyralë e të saktë si “pas mësimit”, “jashtëmësimor”, ose “pas orarit mësimor”, institucioni i arsimit zgjedh legjitimimin e koncepteve jo të drejta por të ashtuquajtura popullore, duke e kthyer procesin dijeformues në një vendmbërritje gjeografike.
Nëse Ministria e Arsimit nuk dallon dot më procesin nga godina, vërtetimin nga koncepti dhe kohën nga hapësira, çfarë standardi po u kërkojmë mësuesve dhe nxënësve?
Është kohë që institucioni që mban emrin e Arsimit të pastrojë fjalorin e vet nga kjo shurdhëri gjuhësore. Përndryshe, le të vazhdojë të hartojë projekte “pas shkolle”, sepse fjalë për fjalë, aty po e lë edhe vetë gjuhën shqipe: mbrapa murit