Kur rregullat “e mira” kthehen në pengesë.
Udhëzimi i përbashkët nr. 11, datë 27 maj 2024, “Për hapjen dhe mbylljen e llogarive buxhetore në degën e thesarit të institucionit arsimor vendor, përgjegjës për arsimin parauniversitar”, ka dalë në përmbushje të nenit 40, të ligjit nr. 69/2012, datë 21.6.2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, për të bërë të mundur mbledhjen dhe përdorimi i fondeve financiare në institucionet arsimore publike.
1Institucionet arsimore publike, në pajtueshmëri me politikat e tyre, përfitojnë fonde financiare ose mbështetje materiale nga dhurues ose sponsorizues, sipas kritereve dhe procedurave të përcaktuara nga ministri, në bashkëpunim me Ministrin e Financave.
Dhurimet dhe sponsorizimet shërbejnë për të përmirësuar cilësinë e shërbimit arsimor.
Institucionet arsimore publike lejohen të sigurojnë të ardhura nga shërbime për të tretët, në përputhje me fushën e veprimtarisë së institucioneve. Fondet e siguruara nga shërbimet për të tretë përdoren sipas akteve ligjore e nënligjore në fuqi.
Ky udhëzim është një shembull tipik i asaj që ndodh kur burokracia vesh kostumin e reformës. Në letër, tingëllon si një simfoni e transparencës për menaxhim financiar më të mirë, përdorim të drejtë të fondeve, rritje e llogaridhënies, etj…etj..
Por në praktikë, kjo simfoni luhet pa dirigjent dhe pa partitura. Drejtuesit e shkollave mbeten në mes të një rruge ku askush nuk e kupton se çfarë po thotë. Natyrshëm lindin disa pyetje, retorike kuptohet, të tipit. A po i shërben kërkesa për ekspertizë financiare misionit pedagogjik të shkollës? A po dekurajon udhëzimi pikërisht atë që synon të inkurajojë? Çfarë vlere ka autonomia në letër nëse në praktikë shkollat ndihen të pafuqishme?
E kam bërë dikur (para dy vitesh kur u firmos), por po ndalem përsëri tek problemet kryesore që dalin në pah në zbatimin e këtij udhëzimi.
– Teksti flet për “procedura” dhe “rregulla”, por nuk i shpjegon aspak ato. Drejtori i shkollës sot nuk di a është mësues, ekonomist apo klient i rregullt i stresit. Është si t’u japësh një hartë pa koordinata dhe t’u thuash: “Shkoni në destinacion.”
– Ngarkesa e tepruar me raportime tremujore, pasqyra financiare sipas standardeve të Ministrisë së Financave…e tërri e vërri. Një mësues i matematikës kthehet papritur në kontabilist, ndërsa mësuesi i letërsisë në auditues, sikur shkollat janë banka, e drejtorët bankierë…
– Në teori flitet për më shumë autonomi. Shkollat mund të sigurojnë të ardhura nga dhurimet dhe sponsorizimet, por në praktikë, frika nga procedurat e prokurimit i bën të heqin dorë. Është si t’u japësh çelësin e lirisë, por ta shoqërosh me një paralajmërim: “Mos e hap derën, se mund të ndëshkohesh.”
– Zyrat vendore të arsimit nuk kanë kapacitet njerëzore për të mbështetur shkollat, për të cilat nuk po ndalem fare sot se nuk ja vlen. Rezultati? Një vakum kontrolli ku askush nuk di çfarë bën tjetri, dhe të gjithë presin që dikush tjetër ta zgjidhë. Kjo krijon edhe “tensione” me ZVAP-në. Ja futa kot. Ku ka drejtor të shkoj e të kërkoj llogari në ZVAP???
Pra, ky udhëzim, që duhej të fuqizonte shkollat, i ka kthyer ato në institucione edhe më të dobëta. Në vend që të hapin dyert për komunitetin, ato i mbyllin, duke u fshehur pas burokracisë.
Udhëzimi nr. 11 është një shembull i mirë se si rregullat e mira, kur nuk shoqërohen me udhëzime praktike, kthehen në pengesë. Shkollat nuk kanë nevojë për më shumë frikë e pengesa, por për më shumë besim.
Sugjerimi im është i thjeshtë:
– Ministria të hartojë manuale praktike për drejtuesit, me shembuj konkretë.
– Të krijohen njësi mbështetëse financiare pranë ZVAP-ve që t’i ndihmojnë shkollat.
– Të rikthehet autonomia reale, ku shkolla mund të marrë nisma pa u trembur nga pasojat.
Sepse, arsimi nuk është bilanc financiar, por investim në mendje e zemra. Dhe nëse humbasim besimin tek shkolla, humbasim besimin tek e ardhmja.
Ne vend qe te zbatoher ligji dhe fondet qe i takojne shkolles sipas formules “per nxenes”, nxirren perdite urdhera dhe udhezime te tilla qe te detyrojne drejtorin te kthehet ne lypsar apo ne shkeles te ligjit per te plotesuar nevojat e domosdoshme qe ka shkolla , se as shkumes nuk sjell me kush ne shkolla, e jo me tjetergje….
Infrastruktura eshte tjetet gje, mjetet didaktike jane tjeter gje. Por vetem per infrastruktiren po investohet neper shkolla, sepse aty mundedesia per perfitime eshte e madhe….