Në një kohë kur ekranet po zënë gjithnjë e më shumë hapësirë në jetën e përditshme të fëmijëve, nxitja e leximit mbetet një nga sfidat më të rëndësishme për prindërit, mësuesit dhe shoqërinë. Libri është një mjet që zhvillon imagjinatën, mendimin kritik, aftësinë për të komunikuar më mirë dhe empatinë.
Dashuria për leximin nuk lind rastësisht. Ajo kultivohet që në vitet e para të jetës. Fëmijët që rriten në një mjedis ku librat janë pjesë e pandashme, kanë më shumë gjasa të krijojnë një marrëdhënie pozitive me leximin.
Shkolla luan një rol po aq të rëndësishëm. Mësuesit mund ta kthejnë leximin në një përvojë të këndshme duke organizuar diskutime rreth librave, klube leximi,apo aktivitete ku nxënësit ndajnë personazhet dhe historitë e tyre të preferuara. Kur leximi lidhet me emocione pozitive dhe jo vetëm me detyrimet shkollore, ai bëhet një zakon që i shoqëron fëmijët gjatë gjithë jetës.
Po aq e rëndësishme është edhe zgjedhja e librave të përshtatshëm për moshën dhe interesat e tyre. Jo çdo fëmijë tërhiqet nga e njëjta temë. Disa preferojnë aventurat, të tjerë shkencën, fantazinë apo historitë me humor. Sa më shumë liri t’u japim për të zgjedhur, aq më i madh do të jetë interesi për të lexuar.
Bibliotekat, panairet e librit dhe aktivitetet kulturore mund të shërbejnë si ura që i afron fëmijët me botën e librave. Po kështu, librat elektronikë dhe aplikacionet edukative mund të jenë mjete plotësuese, nëse përdoren me balancë dhe me qëllim.
Nuk është e mjaftueshme thjesht t’u themi fëmijëve “lexoni”. Ata kanë nevojë të shohin se të rriturit e vlerësojnë librin, e përdorin atë dhe gjejnë kënaqësi në lexim. Shembulli mbetet mësuesi më i mirë.
Të nxisim leximin te fëmijët do të thotë të investojmë në qytetarë më kreativë dhe më të artikuluar. Çdo libër i lexuar sot është një dritare më shumë drejt dijes, imagjinatës dhe suksesit të nesërm.
