Një nënë nga Mitrovica ka shprehur shqetësimin e saj për rritjen dhe ndryshimin e çmimeve të librave shkollorë, në prag të nisjes së vitit të ri shkollor, që pritet të fillojë të martën.
Ajo tregon se ende nuk u kanë dalë paratë për subvencionimin e teksteve shkollore, ndërsa tashmë është detyruar të blejë librat për fëmijën e saj, i cili këtë vit nis klasën e tretë.
“Librat e klasës së tretë i kam blerë. Për mjetet e tjera shkollore, si fletoret dhe gjërat e tjera, ende jo”, ka thënë ajo.
Sipas saj, çmimet ndryshonin dukshëm nga një librari në tjetrën. Ajo ka vizituar tri librari të ndryshme dhe, pasi ka krahasuar çmimet, librat i ka blerë aty ku i ka gjetur më lirë.
“Vetëm librat i mora. Në tri librari të ndryshme çmimi ndryshonte. I gjeta këtu më lirë dhe i mora”, ka treguar ajo.
Shqetësimi i saj rritet edhe më shumë kur llogarit shpenzimet për fletore dhe mjete të tjera. Sipas saj, nëse për secilën lëndë blihen nga dy fletore dhe çmimi minimal për një fletore është rreth 0.80 euro, kostoja vetëm për fletore mund të bëhet e konsiderueshme.
Ndërkohë, ajo thotë se ka parë njoftimet se sot pritet të caktohet çmimi për subvencionimin e teksteve shkollore.
Me nisjen e vitit të ri shkollor vetëm pak ditë larg, prindërit presin që procesi i subvencionimit të përfundojë sa më shpejt, në mënyrë që barra financiare për përgatitjen e fëmijëve për shkollë të mos rëndojë edhe më shumë mbi familjet.