Shkolla “Abedin Rexha” në Turiçec ka bërë të ditur se vitin e ri shkollor e ka nisur pa ditarët zyrtarë të klasës, duke u detyruar që përkohësisht të përdorë fletë të fotokopjuara për zhvillimin e procesit mësimor, shkruan AlbanianEducation.net.
Përmes një njoftimi, shkolla ka shprehur shqetësimin për këtë situatë, duke e cilësuar atë si një problem në furnizimin me materialet e nevojshme për fillimin e vitit shkollor.
Sipas shkollës, përdorimi i materialeve të improvizuara krijon vështirësi për mësimdhënësit dhe nuk përputhet me pritjet për një sistem arsimor të modernizuar dhe të digjitalizuar.
“Shkolla jonë, në vend që të ketë ditarë zyrtarë të klasës, detyrohet të punojë me fletë të fotokopjuara”, thuhet në njoftim.
Shkolla i ka bërë thirrje Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHT) që të bëjë furnizimin e saj me ditarët zyrtarë të klasës, në mënyrë që procesi mësimor të zhvillohet me dokumentacionin përkatës.