Një lajm i trishtë ka mbërritur nga bota e arsimit shqiptar pasi është ndarë papritmas nga jeta një nga kontribueset kryesore të Universitetit “Qiriazi”. Në prag të fillimit të vitit të ri shkollor, Universiteti “Qiriazi” ka njoftuar se ka mbyllur sytë përgjithmonë pedagogia Valentina Memini, një pjesë e rëndësishme e stafit të këtij universiteti.
“Me dhimbje të thellë dhe trishtim të madh njoftojmë ndarjen e parakohshme nga jeta të koleges sonë të nderuar, Dr. Valentina Memini, pedagoge e Fakultetit Juridik të Kolegjit Universitar “Qiriazi”’ shkruhet në reagimin prekës të bërë sot në rrjet.
Përveç kontributit të saj në mësimdhënie në Fakultetin Juridik të Kolegjit Universitar “Qiriazi”, mësohet se Valentina Memini ndër vite ka shërbyer dhe si Drejtuese e Departamentit të Drejtësisë, Drejtuese e Zyrës së Administrimit Akademik dhe, së fundmi, Drejtuese e Zyrës së Sigurimit të Cilësisë.
Memini dha një kontribut me në këtë institucion privat arsimor, stafi i të cilit së fundmi është përballur me lajmin e trishtë, ndarjen nga jeta në mënyrë të parakohshme të Valentinës.
Mes lotësh e dhimbjesh mësohet se familjarë, miq, kolegë, studentë e të afërm nesër do i japin Valentinës lamtumirën e fundit. Ndërsa bëhet me dije se familja pret vizita dy ditë, të mërkurën, nga ora 17:00 deri në 21:00 dhe të enjten, nga ora 09:00 deri në 13:00 dhe nga ora 17:00 deri në 21:00.