Shkolla “Hamëz Thaçi” në Xërxë ka njoftuar se është ndarë nga jeta mësuesja Mukadeze Nallbani.
Shkolla thotë se kontributi i saj ishte i pandashëm dhe i pakursyer gjatë gjithë jetës profesionale.
Njoftimi i shkollës “Hamëz Thaçi” në Xërxë:
Me pikëllim të thellë e morëm lajmin për ndarjen nga jeta të mësueses sonë të dashur, Mukadeze Nallbani!
Mësuesja Mukadez i përket brezit të mësimdhënësve të cilët e përhapën edukimin dhe arsimimin në një kohë kur shoqëria jonë kishte më së shumti nevojë, prandaj nxënësit e saj, nga shumë fshatra, u bënë bashkë në Tempullin e Dijes “Ganimete Tërbeshi”.
Kontributi i saj ishte i pandashëm dhe i pakursyer gjatë gjithë jetës profesionale. Me të, në bankat shkollore, u edukuan, u arsimuan e u rritën për shumë vjet gjenerata e gjenerata nxënësish. Këta ish-nxënës, sot janë njerëz të profesioneve të ndryshme të cilët e çmojnë më tepër se dikur kontributin e mësueses së tyre.
Raportet e shëndosha dhe komunikimin e sinqertë e plot respekt me nxënësit dhe kolegët, Mësuesja Mukadez nuk e ndërpreu deri në ditët e fundit të jetës së saj.
Ajo nuk ishte vetëm mësuese, por një njeri që la gjurmë të pashlyeshme në zemrat e shumë nxënësve, gjeneratë pas gjenerate.
Me këtë rast u shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve, kolegëve, nxënësve dhe të gjithë atyre që ndjejnë dhimbje!
Do ta kujtojmë gjithmonë me respekt, dashuri dhe mirënjohje.
Mësuesit e vërtetë nuk largohen kurrë — ata jetojnë përherë në kujtimet dhe zemrat e nxënësve të tyre.
U prehsh në paqe, mësuesja jonë e dashur. 🕊️
Kujtimi për ty do të mbetet i përjetshëm.
Me dhimbje, Drejtoria e Shkollës!